Mbrojtësi i Bajernit do të mbajë shiritin në miqësoren e sotme ndaj Bregut të Fildishtë
Mbrojtësi i Bajernit të Munihut, Filip Lahm, do të jetë kapiten i përfaqësueses gjermane në ndeshjen e sotme miqësore kundër Bregut të Fildishtë pasi kapiteni Mikael Balak është i dëmtuar. Zëvendëskapiteni Lahm do të luajë sot ndeshjen e tij të 63‑të me Gjermaninë. Pasi u kualifikua për në botëror me fitoren 1‑0 në Moskë kundër Rusisë, muajin që shkoi, Gjermania barazoi 1‑1 me Finlandën në ndeshjen e fundit në grup. Lahm thotë se ky vit ka qenë i suksesshëm për Gjermaninë dhe se skuadra e tyre mezi pret të mundë Bregun e Fildishtë dhe ta mbyllë vitin mirë. “Kemi kaluar një vit pozitiv, e arritëm kualifikimin për botëror”, ka thënë Lahm dje në konferencë për shtyp.
“E dimë se duhet të përmirësohemi, por i kemi arritur objektivat tanë këtë vit dhe duam ta mbyllim mirë vitin.” Vetëvrasja tragjike e Robert Enkes, portierit të Gjermanisë, ka hedhur një hije të zezë mbi këtë ndeshje, por Lahm ka thënë se anulimi i ndeshjes të së shtunës kundër Kilit dhe pjesëmarrja në përkujtimoren e së dielës për Enken i kanë bërë mirë përfaqësueses gjermane. “Ishte e rëndësishme të shkonim në Hanover dhe t’i jepnim lamtumirën e fundit Enkes siç e meritonte, nuk mund të luanim dot.
Ndërsa tani është koha për të luajtur futboll. Ne si futbollistë duhet të kthehemi në fushë e të bëjmë atë që dimë të bëjmë. Shpresoj që kjo tragjedi ka thyer një nga temat tabu në shoqërinë tonë”, ka shtuar Lahm, pas zbulimit se Enke ka pasur depresion. Portieri i Bremenit, Tim Viese, do të jetë në portë, por do të zëvendësohet nga Nojer i Shalkes në pjesën e dytë. Bastian Shveinsteiger ka shumë mundësi të luajë në mesfushë krah për krah me organizatorin Mesut Ozil dhe Lukas Podolskin. Sulmuesi Stefan Kiesling, që luan për Leverkusenin, do të jetë partner i Mario Gomezit në sulmin e Gjermanisë.
“Unë e di se ky është një shans që unë duhet ta shfrytëzoj. Sezoni ka shkuar mirë me Leverkusenin dhe unë duhet ta jap kontributin tim edhe në përfaqësuese”, ka thënë Kiesling. Bregu i Fildishtë nuk pësoi asnjë humbje në ndeshjet e veta eliminatore për këtë botëror dhe menaxheri i skuadrës gjermane, Oliver Bierhof, ka thënë se për ta kjo skuadër ishte e panjohur. “Bregu i Fildishtë është skuadër e fortë dhe e ka treguar këtë duke u kualifikuar për botëror. Ne nuk kemi luajtur shumë ndeshje kundër skuadrave afrikane dhe askush nuk e di se si do të shkojë loja. Ne duam ta mbyllim mirë këtë vit, edhe pse e nisëm keq, me humbjen kundër Norvegjisë”, ka shtuar Bierhof.