Salomon Kalu dhe Abdulaje Meite nuk do të jenë në ndeshjen e sotme miqësore kundër Gjermanisë pasi kanë bërë fjalë në stërvitje para ndeshjes eliminatore kundër Guinesë. Sulmuesi i Çelsit dhe mbrojtësi i Uest Bromit janë pezulluar nga Federata. Bregu i Fildishtë e fitoi atë ndeshje 3‑0 dhe tani përgatitet për ndeshjen kundër Gjermanisë në Gelsenkirshen. “Gjërat u nxehën paksa, por ne jemi njerëz dhe këto gjëra ndodhin.
Por në fund ne e dimë se duhet të ruajmë shpirtin e ekipit dhe unitetin”, ka thënë Meite. Ndërsa Kalu ka shtuar: “Meiten e kam si vëlla të madh. I kam kërkuar falje dhe ai e ka pranuar ndjesën time. Më vjen keq që ndodhi kjo mes nesh. Ne u dënuam dhe unë e kam pranuar atë dënim, prandaj gjërat ecin më tej. E kam kuptuar gabimin e bërë, kam biseduar me të dhe gjithçka ka marrë fund për mirë.”