Në prag të ndeshjes së sotme ndaj Bordosë (tashmë të kualifikuar), trajneri juventin, Çiro Ferrara, deklaron se në sfidën e mbrëmjes së sotme skuadra e tij do kërkojë patjetër tri pikët.
Një fitore e mundshme sot në Francë do të bënte që “Zonja” të mbyllte përfundimisht çështjen e kualifikimit, për të mos ia lënë ndeshjes së fundit ndaj Bajernit të Mynihut. “Barazimi nuk do të ndryshonte shumë gjëra. Kualifikimi varet vetëm nga dy ndeshjet e fundit që kemi për të luajtur”, theksoi Ferrara.
Trajneri italian do të udhëtojë drejt Bordosë me mungesa të shumta. Iakuinta, Trezege dhe Markizio nuk do të jenë të gatshëm, ndërsa Del Piero dhe Sisoko sapo janë riaftësuar dhe ende nuk janë në maksimumin e formës. Megjithatë, numri një i pankinës kuqezi nuk kërkon justifikime: “Ende nuk e kemi siguruar matematikisht kualifikimin. Bordoja është kualifikuar, tani duan të sigurojnë vendin e parë. Prandaj ne kemi më tepër nevojë se ata për tre pikët”.