25 nëntor 2009

Blater, kundër "Dorës së Zotit" Botërori 2010 me gjyqtarë zone

Risia e vërtetë e Kupës së Botës 2010 mund të jetë angazhimi i gjyqtarëve të zonës në ndeshjet në Afrikën e Jugut. Polemikat e golit që erdhi pas aksionit me dorë të Henrisë, i cili kualifikoi Francën dhe eliminoi Irlandën, kanë bërë që krerët e futbollit botëror të reflektojnë për masat që duhen marrë. Sipas të përditshmes angleze, "Daily Mail", presidenti i FIFA-s, Sep Blater, ka thirrur një mbledhje emergjence të IFAB (organizmi ndërkombëtar që përcakton rregullat e futbollit), e cila do të zhvillohet më 2 dhjetor, një ditë përpara hedhjes së shortit të grupeve të Botërorit 2010. Mendohet se Blater do të kërkojë që përveç treshes së "xhaketave të zeza", në fushë të zbresin edhe dy gjyqtarë zone. Kjo iniciativë është mbështetur fuqimisht nga presidenti i UEFA-s, Mishel Platini: gjatë këtij sezoni ajo është përdorur në formë eksperimentale në disa ndeshje të Europa League. Në mbledhjen e IFAB-së do të diskutohen edhe episodet e dhunës përpara dhe pas ndeshjeve "play-off" ndërmjet Algjerisë dhe Egjiptit.