Portieri juventin kërkon fitore ndaj Udinezes dhe Kaljarit, përpara se të ndeshet me kryesuesitTë luash 100 ndeshje me kombëtaren e Italisë nuk janë pak. E aq më tepër kur je 31 vjeç dhe ke akoma karrierë për të bërë përpara, për të fituar trofe dhe thyer rekorde. Dhe një si ai i meriton. Pasi është larguar nga “axurrët”, Xhixhi Bufon rihidhet në kampionatin italian dhe “skicon” tabelën ideale të marshimit të Juves, që tani e deri në sfidën e 5 dhjetorit kundër Interit: “Objektivi ynë është të marrim pikë të plota deri në atë ndeshje, - tha portieri bardhezi.
- Duam të fitojmë si kundër Udinezes, ashtu edhe në transfertën e vështirë në Kaljari. Për ne, ajo ndaj friulanëve është një ndeshje vendimtare dhe për këtë do të përpiqemi ta fitojmë. Në shtëpi nuk mund të bëjmë më hapa të gabuar. Di që Udinezes do t’i mungojnë lojtarë të rëndësishëm, para së gjithash shokët e mi të kombëtares, Di Natale e Pepe. Por gjithsesi ata kanë lojtarë të tjerë të mirë që bëjnë ndryshimin”.
MARKIZIO-SISOKO “OK” - Pa lojtarët që ndodhen me kombëtaret e tyre, por me Bufonin e Kanavaron, ka nisur dje përgatitja e Juventusit për sfidën me Udinezen. Ushtrime tekniko-taktike për bardhezinjtë, me Markizion, Sisokon e Zebinanë që zhvilluan një pjesë të stërvitjes me shokët. Riaftësimi i tyre vazhdon mirë dhe gradualisht do të kthehen në aktivitet normal. Në fushë janë parë edhe Salihamixhiç dhe Iakuinta, teksa dje mungonte Trezege, por francezi punoi rregullisht në palestër.
TIAGO DREJT VOLFSBURGUT - Sipas shtypit portugez, Juventusi paska gjetur më në fund një skuadër të gatshme për të avancuar një ofertë konkrete dhe thelbësore për mesfushorin Tiago, portugezin që asnjëherë nuk ka çarë me fanellën bardhezi. Kështu shkruante dje gazeta “A Bola”, duke iu referuar Volfsburgut, i gatshëm të japë 8 milionë euro për të bindur “Zonjën e vjetër” ta shesë mesfushorin, i cili as nën drejtimin e Ranierit dhe as me Ferrarën nuk po gjen besimin e duhur për të shpërthyer.
SYTË NGA RANOKIA - Më shumë se danezi i Palermos, Kjaer, tani është Andrea Ranokia objektivi i vërtetë i Juventusit për repartin e mbrojtjes. Aktualisht lojtari është i huazuar te Bari, duke ndihmuar puljezët të paraqiten mirë në kampionat, por kartoni i tij i përket Xhenoas. Pikërisht kjo gjë duket se do të lehtësojë gjithçka në një operacion të mundshëm. Lojtari vlen të paktën 10 milionë euro, por në bisedime mund të përfshihen bashkëpronësitë e Paladinos e Krishitos, që aktualisht luajnë suksesshëm në skuadrën e Gasperinit.