Të dielën e kaluar, gazetari i njohur italian Mauricio Moska, ka lançuar një provokim: ‘Duam Kasanon në kombëtare’. ” T’i bëjmë të ditur Marçelo Lipit sesa shumë jemi, duke e ndjekur ndeshjen me Hollandën në televizor me pesë minuta vonesë nga fillimi i saj”, ka thënë ai.Një lloj greve e tifozëve. Dhe shifrat kanë treguar se në minutën e parë ka patur 6.381.000 spektatorë, ndërsa në të pestën, 7.053.000. Një diferencë prej 700 mijë njerëzish. Edhe duke llogaritur vonesat e rastësishme, që nuk kanë patur lidhje me “grevën”, është një shifër e rëndësishme, që do të ishte e denjë për një referendum ose për krijimin e një partie të re. Partia e Kasanos, falë telekomandës dhe “presingut” të vazhdueshëm të Mauricio Moskës për përfshirjen e talentit barez në kombëtare, ka lindur. Një parti kjo për të cilën duket se do të diskutohet deri në qershorin e ardhshëm.
Tifozi: Më merr në Afrikën e Jugut!
“Kasano? Ndoshta në Afrikën e Jugut do të shkoj unë dhe i veshur si Supermen-i, që do t’i sjellë fat Italisë”. Këto kanë qenë fjalët e Mario Ferrit, i bërë i famshëm pas futjes së tij në fushë me një fanellë pro-Kasanos gjatë ndeshjes Itali-Hollandë. Një gjest për një idhull që ka tentuar ta imitojë edhe në jetën e tij si lojtar amator dhe pak i disiplinuar. “Kam luajtur në Serinë B të Zvicrës, por kam patur probleme fizike”.
Në lidhje me veprimin e tij të shtunën e kaluar: “Kam thënë se do ta bëja, duhej të ndodhte në minutën e 20-të të takimit, por unë kam hyrë para kohe, - ka treguar Mario. - Kjo kombëtare nuk ka fantazi, ndaj si mund të lihet jashtë një lojtar si Kasano? Kisha arritur buzë fushës falë një shoku. Miqtë e mi nuk besonin se do të kisha kurajo për ta bërë një gjë të tillë. Lipi? Më ka parë, edhe pse është e vërtetë se kishte hequr syzet. Unë i kam thënë ‘grumbulloje’. Por ai duket si Mourinjo, disa pyetje nuk mund t’i bëhen më…”.