24 nëntor 2009

Dejvid Bekam, i sëmurë me astmë

E përditshmja britanike “Daily Mail” e përkufizon si sekretin më të madh të karrierës së mesfushorit anglez.Në fakt, është një sëmundje nga e cila vuajnë shumë njerëz dhe që nuk e vështirëson jetën e një futbollisti. Megjithatë, lajmi ka bërë bujë për faktin se gazetat angleze kanë publikuar në faqen e parë një foto të mesfushorit, duke mbajtur në gojë aparatin që shërben për marrjen e ilaçit.
Agjenti i “Spice Boy”, Simon Olivera, ka deklaruar se klienti i tij vuan nga astma që kur ka qenë i vogël, edhe pse asnjëherë nuk e ka bërë publik këtë fakt. Dyshimi ka ardhur gjatë finales së Major League Soccer, të cilën Galaksi e humbi me penallti ndaj Real Salt Lake. Në fund të ndeshjes, Bekam u rikthye në pankinë dhe, i ngacmuar nga një kollë që nuk pushonte, përdori aparatin e ilaçit.
Fillimisht, ish-mesfushori i Realit dhe Mançesterit, kishte deklaruar se bëhej fjalë për një mënyrë për të luftuar alergjinë, por agjenti Oliveira saktësoi: “Nuk ka dashur kurrë ta bëjë publike, por ky rast mund të shërbejë për të bindur njerëzit e tjerë që edhe me një problem të tillë, mund të bëjnë gjëra të mëdha dhe kjo është diçka pozitive”.