18 nëntor 2009

Çelsi, nis “sulmi” për Marek Hamsikun

Pasi është pezulluar vendimi që ndalonte veprimet në merkato, Çelsi është gati të vihet në lëvizje në janar. Të shumtë objektivat e Bluve, që për një muaj nuk do të kenë në dispozicion Drogbanë, Esienin, Mikelin dhe Kalunë, të gjithë të impenjuar në Kupën e Afrikës. Njëri prej këtyre objektivave është edhe Marek Hamsik. Mesfushori i Napolit, duket se bën pjesë në listën e ’shpenzimeve’ bashkë me Di Marian, Roduell, Riberi dhe Aguero. Por, nga sa bëhet e ditur nga shtypi anglez, Çelsi duket se është gati të shpenzojë 50 milionë sterlina (56 milionë euro) për sulmuesin e Valencias, David Vija dhe mbrojtësin e Realit të Madridit, Serxhio Ramos.
Kështu, pas lajmit për rihapjen e merkatos, për Ançelotin duket se do të vijnë forca të freskëta. Ka qenë e menjëhershme përgjigjja e drejtorit sportiv të Napolit, Rikardo Bigon, në lidhje me lajmin për interesimin e klubit londinez ndaj Hamsik: “Nuk kemi patur asnjë ofertë zyrtare. Marek mbetet një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Kemi një organikë të pasur, me 25 futbollistë, gjë që e bën të vështirë edhe përfshirjen e blerjeve të reja, por dëshira për t’u përmirësuar nuk mungon, ashtu si edhe kujdesi, për të parë nëse mund të bëhet diçka interesante në merkaton e janarit”, tha Bigon.