19 nëntor 2009

Superliga, ngarkesë si tek ekipet e Champions-it

Nga java e 11-të deri në fund të 2009-s do të luhet gati një herë në tri ditë, duke përfshirë edhe Kupën

Në analizat që bëhen për kampionatin shqiptar të futbollit, veçanërisht për kategorinë superiore, ritmi i ulët i ndeshjeve, që lidhet drejtpërdrejt me përgatitjen fizike të futbollistëve, del gjithmonë në pah. Në Shqipëri luhet futboll, ka skuadra ku punohet deri diku me metoda bashkëkohore, për e përgjithshmja në aspektin fizik lë për të dëshiruar.

Në Europë ka skuadra (luajnë në kompeticione të rëndësishme si në Ligën e Kampionëve, Euroligë, pa harruar edhe kupat kombëtare) që për ta përballuar dendësinë e ndeshjeve kanë lojtarë të përgatitur shumë mirë fizikisht dhe një numër të madh të tyre për të aplikuar rotacionin.

Sepse është thuajse e pamundur që një futbollist të luajë deri në 60 ndeshje në vit. Në të njëjtin ritëm dhe ngarkesë do të luhet edhe në Shqipëri nga java në vazhdim deri në fund të 2009-s, kur kampionati do të ndërpritet për merkaton e janarit.

Më 22 nëntor, pra këtë fundjavë, do të luhet java e 11-të. Skuadrat kanë pasur në dispozicion 15 ditë për t’u përgatitur, pas shkëputjes së kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares (Miqësorja me Estoninë, dy ndeshjet e Shpresës si dhe aventura e U-19-ës në San Marino). Për kategorinë superiore ndeshjet do të kthehen me një ritëm të shfrenuar.

Sepse tri ditë pas javës së 11-të do të luhen ndeshjet e para të 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë dhe vetëm pas dy javëve ato të kthimit. Sektori i garave e shtyu dy herë kalendarin e ndeshjeve të kampionatit për t’i dhënë më shumë kohë kombëtares për t’u përgatitur, duke vendosur që të luhet më 16 dhjetor (mesjavë). Nga 22 nëntori deri më 24 dhjetor (32 ditë) kategoria superiore do të luajë 7 javë kampionat dhe 2 të tjera për Kupë.

Që do të shotë se çdo skuadër duhet të luajë gati një ndeshje në tri ditë, njësoj si skuadrat më të mira në Europë, që luajnë në kompeticione kombëtare dhe ndërkombëtare. Me të drejtë shtrohet pyetja: A e përballojnë dot skuadrat tona këtë ngarkesë të lartë fizike? Në këto kushte të stresit fizik futbollistët janë më të predispozuar për t’u dëmtuar dhe si rrjedhojë do të krijoheshin deficite në organikë.

Trajneri i Shpresës, Artan Bushati, një ditë para takimit me Bjellorusinë u druhej me të drejtë pamundësisë për ta përballuar fizikisht kundërshtarin, pasi katër ditë para kësaj ndeshjeje ishte luajtur sfida me Austrinë. Bushati pati plotësisht të drejtë. Shpresa jonë ishte shumë larg asaj bjelloruse në përgatitjen fizike, që ndikoi edhe në shpërqendrimin tekniko-taktik. Të gjithë lojtarët e Shpresës (përveç Ujkanit dhe Shkurtajt) ishin lojtarë të kampionatit shqiptar.

Javët e mbetura të 2009-s
Java 11 22 nëntor
1\8 e kupës 25 nëntor
Java 12 29 nëntor
Java 13 5 dhjetor

1\8 e kupës 9 dhjetor
Java 14 12 dhjetor
Java 15 16 dhjetor
Java 16 20 dhjetor
Java 17 24 dhjetor