18 nëntor 2009

Botëror dhe seks, FIFA nën akuzë

FIFA dëshiron të legalizojë prostitucionin në Afrikën e Jugut në prag të Botërorit. Është kjo me pak fjalë "J‘ai accuse" e kishës në drejtim të organit më të lartë të futbollit në botë. Në fakt, sipas katolikëve afrikanojugorë, Federata Ndërkombëtare po bën presion mbi qeverinë e Johanesburgut të mos e quajë krim prostitucionin në prag të kampionatit botëror. Akuza vjen nga ana e Kardinalit të Durban, Vilfrid Foks Napier. "Shqetësimi më i madh, ka shpjeguar ai për agjencitë e Vatikanit ‘Fides‘, vjen nga një shpërthim i mundshëm i fenomenit të prostitucionit. Më duket se FIFA po i bën presion qeverisë afrikano-jugore për ta lejuar prostitucionin. Nëse kjo do të ndodhë do të duhet të presim një rritje të madhe të të infektuarve me virusin HIV". Kisha afrikanojugore ka nisur tashmë një program sensibilizimi mbi prostitucionin dhe mënyrat se si duhet shmangur gjatë Botërorit 2010.