28 dhjetor 2009

Vëllaznimi, ende në borxh

Edhe pse para pak javësh, Vëllaznimi i Gjakovës u bë me kryesi të re, në të cilën kanë hyrë edhe disa afaristë gjakovarë, situata financiare në këtë klub po vazhdon të mbetet e rëndë.

Pas emërimit të kryesisë së re, zyrtarët e klubit u kanë premtuar futbollistëve të ekipit se shumë shpejt do t’i kryejnë borxhet për tre muaj ndaj tyre.

Mirëpo, një gjë të tillë drejtuesit e klubit kuqezi ende nuk e kanë bërë. Madje, më 5 janar bëhen katër muaj që lojtarët e këtij klubi nuk kanë marrë paga.

Kapiteni i skuadrës nga Gjakova, Atdhe Gashi tha se zyrtarët e klubit po mundohen t’i shmangen çdo kontakti eventual me futbollistë.

Ai paralajmëroi se do ta braktisë Vëllaznimin në rast se drejtuesit e klubit nuk i kryejnë obligimet që u takojnë brenda dy apo tri ditëve. Gashi paralajmëroi se rrugën e tij do të mund ta ndjekin edhe shumë bashkëlojtarë të tij.

“Më 5 janar bëhen katër muaj që nuk kemi marrë paga. Pasi u zgjodh kryesia e re, shpresuam se tani do t’i kryejnë obligimet ndaj nesh. Edhe vetë zyrtarët e klubit na premtuan se do t’i kryejnë obligimet para festave të fundvitit, por një gjë e tillë nuk ndodhi ende. Ne po mundohemi t’i kontaktojmë zyrtarët, po ata as nuk po i hapin telefonat e tyre”, tha Gashi për GrandeJuve të dielën.

“Ne do t’i presimin edhe dy, apo më së shumti edhe tri ditë. Nëse brenda kësaj kohe nuk i kryejnë obligimet, do të tubohemi ne futbollistët dhe do të marrim një vendim të përbashkët, ose do të vendosim individualisht. Nëse nuk kryhen obligimet, unë personalisht do të ik nga këtu. Njëjtë me gjasë do të veprojnë edhe shumë lojtarë të tjerë, sepse kjo është e tepërt”, deklaroi ai.

Njëjtë si Gashi, është shprehur edhe futbollisti tjetër i këtij klubi, Robert Gjeraj. “Unë e kam njoftuar zyrtarin Ahmet Morina, se nëse të hënën nuk na i japin së paku dy rroga për fillim, atëherë unë do të largohem. Një fjalë e urtë thotë: ‘I ngopuri të uriturit nuk ia beson’. Zyrtarët neve nuk po na besojnë se sa po heqim pa asnjë para në xhep, tash e katër muaj. Ata po harrojnë se ne nga futbolli i mbajmë familjet tona”, tha Gjeraj për GrandeJuve.

Në anën tjetër, gazeta Express ka provuar gjatë gjithë ditës së diel të kontaktojë me kryetarin e Vëllaznimit, Agim Koci, dhe me zyrtarin tjetër të këtij klubi, Ahmet Morina, por kjo ka qenë e pamundur.

Sido që të jetë, ditë më parë, zyrtarët e Vëllaznimit emëruan Ajet Shoshollin kryetrajner të skuadrës. Ata po ashtu janë në bisedime edhe me disa lojtarë të tjerë, me të cilët po mendojnë të përforcohen për stinorin pranveror.

Gjakovarët stinorin vjeshtor e kanë përmbyllur duke u radhitur në vendin e parafundit në tabelë, përkatësisht në pozitën e njëmbëdhjetë, me vetëm 14 pikë të tubuara.