
Ky ekip është i rrezikshëm në krah, di të shënojë nga largësia, është i kujdesshëm në zonën e mbrojtjes dhe fiton tituj me kampionë. Ky është ekip më i mirë i dekadës në futboll i përzgjedhur nga mediumi ESPN. Në mesin e ekipit të yjeve më të mëdha botërore të 10 viteve të fundit nuk kishte vend për sulmuesin e Liverpoolit, Fernando Torres, ikonën e Real Madridit, Raul dhe yllin ukrainas, Andriy Shevchenko – të cilët nuk gjenden as në bankën rezervë.
Vetëm tre nga 11 futbollistët e formacionit bazë sot janë të pensionuar nga futbolli, të tjerët të gjithë janë aktivë, madje edhe ata pesë që janë zgjedhur si rezervistë. Ekipin në formacionin 4-2-3-1 e ka formuar mediumi ESPN, me një panel sportiv prej shtatë gazetarëve.
Portier – Gianluigi Buffon
Juventus i pagoi Parmës 51.5 milionë euro në verën e vitit 2001 dhe tregoi se çka do të thotë të bësh investim të mirë. ESPN e ka përshkruar Buffonin si “mbret të zonës dhe portier të shkëlqyeshëm me refleks të përkryer”.
Mbrojtës i djathtë – Cafu
Shpërtheu në futbollin evropian me Romën, ku e fitoi Scudetton. Kishte kaluar të tridhjetat kur iu bashkua Milanit, mirëpo në San Siro arriti të fitojë edhe Ligën e Kampionëve. Ai shërbeu si shembull për futbollistët e të sotmes në këtë rol, bashkëkombësit e tij brazilianë Dani Alves dhe Maicon.
Mbrojtës i majtë – Roberto Carlos
Njëri prej mbrojtësve më ofensiv i viteve të fundit ishte pjesë e ‘Galaktikëve’ të Real Madridit. Shumë herë tregoi kapacitetet e tij fizike dhe me goditje të fuqishme nga distanca befasonte portierët kundërshtarë.
Qendërmbrojtës – Fabio Cannavaro dhe Paolo Maldini
Të dy qendërmbrojtësit janë italianë. Cannavaro dhe Maldini janë dy qendërmbrojtësit më të mirë, të cilët në dhjetë vitet e fundit kanë vrapuar në fushat e futbollit. Cannavaro fitoi Kampionatin botëror më 2006, ndërsa Maldini e ngriti trofeun e Ligës së Kampionëve.
Mesfushor në qendër – Claude Makelele dhe Andrea Pirlo
Dështimi i ‘Galaktikëve’ filloi në momentin kur nga Real Madrid në Chelsea u transferua i palodhshmi Makelele. Ai në ekipin më të mirë të dekadës do të kishte detyrë të kalojë kilometra, ndërsa lojën do ta organizonte fituesi i Kampionatit botëror dhe i Ligës së Kampionëve, Andrea Pirlo.
Krah i djathtë – Lionel Messi
E krahasojnë me Maradonën, por ai ka vetëm 22 vjet dhe ka arritur shumë më tepër se legjenda argjentinase në karrierën me klub. Messi përkujton kohërat e vjetra, kur futbolli ishte romantik, shkathtësi në të cilën vlerësoheshin vetëm lëvizjet e jashtëzakonshme.
Krah i majtë – Cristiano Ronaldo
Arrogant, gjithmonë i gatshëm të turpërojë kundërshtarin, por shembull i një futbollisti të shkëlqyer. Ai është bërë i paprekshëm me shpejtësinë e tij, fuqinë, ndërtimin fizik dhe teknikën e jashtëzakonshme.
Mesfushor ofensiv – Zinedine Zidane
U pensionua nga futbolli me atë goditjen primitive me kokë në gjoksin e mbrojtësit italian Marco Materazzi në finalen e Kampionatit botëror 2006, por mbetet i paharruar në kujtesë. Ai është ndoshta edhe futbollisti më i mirë i dekadës së fundit, realizator i njërit prej golave më të mirë në dhjetë vitet e fundit në finalen e Ligës së Kampionëve 2002.
Sulmues – Ruud van Nistelrooy
Në epokën e sulmuesve të vetmuar, futbollistëve të cilët është dashur të shënojnë gola dhe të mbajnë topin në posedim, holandezi është në kulm. I fuqishëm, vendimtar dhe luftarak, realizoi një mal me gola. Ai shënonte nga të gjitha pozitat, në të gjitha mënyrat, thjesht i shkëlqyeshëm.
Rezervist: Iker Casillas, Roberto Ayala, Roy Keane, Ronaldinho, Thierry Henry.