26 nëntor 2009

Shtypi: “Muzikë maestrosh”, kthehet Barça

Gazetat spanjolle ngelin në klasë Interin: Superioriteti i katalanasve nuk u vu në diskutim

Nga frika në ekstazë, në mes janë golat e të rinjve Pike e Pedro. Pasi u hidhëruan për mungesën e Mesit dhe të Ibrahimoviçit për ndeshjen vendimtare kundër Interit, dje, gazetat katalanase kanë festuar fitoren 2-0 të Barçës kundër Interit, e papritur në formën që u arrit.

Superioriteti ‑ “I mrekullueshëm” shkruan “Mundo Deportivo” për Pikenë. Mbrojtësi i Barçës shkoi të festonte para fotografit të gazetës së Barcelonës, duke dalë në faqe të parë. “Goditje kampioni’, shkruan gazeta “Sport”. “Spektakël dhe fitore pa Mesin dhe Ibrën, madje edhe Mourinjo u dorëzua para superioritetit blaugrana”. Në faqen e parë të MD shkruhej: “Pa Ibrën dhe Mesin, Barça mundi Interin me një pjesë të parë fantastike.

Guardiola fitoi betejën taktike me Mourinjon dhe golat e Pikesë dhe Pedros thuajse e kalojnë Barçën më tej. Barça tregon forcën para ndeshjes kundër Madridit.” Edhe gazetat politike i kanë kushtuar faqen e parë kësaj ndeshjeje, ndërsa “Periodico de Catalunia” i ka kushtuar faqet 2-5 kësaj fitoreje. Disa nga titujt e saj janë: “Barça shumë e bukur”, “Kampioni bën të ngrihen në këmbë të gjithë” (Periodico), “Himn i mrekullueshëm për lojën e skuadrës” (Sport), “Futboll nga ai i miri” (MD).

Krujfi krenar ‑ Skuadrës kampione të Evropës i kanë kushtuar të gjitha gazetat shumë hapësirë. “Muzikë maestrosh, u kthye Barça”, shkruante “Pais”, koncept i gjetur edhe te “Sport”, “Dridhet Evropa, kthehen kampionët”. “Një gjigant pa fund” shkruan (Vanguardia) duke ia dedikuar Pikesë edhe Krujfi titullin e kolonës së tij te “Periodico”: “Krenar që jam i Barçës”.

“Pep” mund Mourinjon ‑ Mourinjo që u ofendua dhe u mund të martën në “Camp Nou”, dje u krahasua nga shtypi me Guardiolën. “Guardiola gëlltit Mourinjon” thotë “Vanguardia”, “Guardiola i jep fund mitit të Mourinjos”, shkruan “Periodico”. Më pas disa tituj që citojnë fjalët e Mourinjos në konferencën për shtyp: “Fitore e padiskutueshme e Barçës spektakolare”.

Eto, armiku i dashur ‑ Të martën u rikthye në Barcelonë edhe sulmuesi Eto dhe kthimi i tij nuk kaloi pa u vënë re. “Asnjë faull kundër luanit”, shkruan “MD”; “Eto ishte protagonist para dhe pas ndeshjes”, përgjigjet “Sport”. I ngjashëm edhe titulli i “Pais”: “Eto në tribunë, jo në fushë”. Në “Vanguardia” flitet për rikthimin e Etosë dhe për armiqësinë ndaj Figos, të cilit nuk i është falur kalimi i tij te Real Madridi.

Kristiano dhe jo Barça ‑ Në Madrid preferojnë të mos ndihen fare. Faqet e para të gazetave “Marca” dhe “As” kanë foto të Ronaldos, që pritet të luajë sonte në Zyrih. “Marca” e vendos Barçën lart fare, por në fakt aty nuk shkruhet emri i katalanasve, por “Interi, asnjë gjuajtje në portë. “Fajin e kanë interistët, kanë fituar me meritë spanjollët”.

Pak Inter ‑ Në gazetën “Marca”, dje 12 faqe ishin për ndeshjen e Realit me Zyrihun dhe 5 për ndeshjen mes Barcelonës dhe Interit, të hapur ma titullin: “Për kaq pak Inter nuk nevojiteshin as Ibra e as Mesi”. Në “As” raporti Real‑Barça për nga numri i faqeve është 9 me 3, por të paktën u njihet merita katalanasve: “Përgjigje kampionësh”. Dueli mes të mëdhenjve të Spanjës nga gazetat së shpejti do të jetë në fushë, të dielën. Barça tashmë e sheh të ardhmen me optimizëm të madh.