26 nëntor 2009

Prandeli në delir: Jemi pjesë e historisë

Trajneri i Fiorentinës është shprehur entuziast pas kualifikimit në Champions. Edhe Vargas është i lumtur
Ka qenë shumë i kënaqur Çezare Prandeli, pas suksesit të arritur me Fiorentinën e tij kundër Lionit, që i ka siguruar skuadrës vjollcë kualifikim në fazën e dytë të Championsit: “Lojtarët e kanë interpretuar shumë mirë ndeshjen. Kemi bërë një paraqitje pothuajse perfekte, edhe pse në fundin e takimit kemi qenë pak të lodhur, - ka deklaruar tekniku. - Ne vinim nga një humbje në kampionat dhe e dinim se mund të komplikonim çështjen e kualifikimit. Donim të bëheshim pjesë e historisë dhe e kemi arritur këtë. Në këtë moment mendoj se ky kualifikim është një sukses shumë i rëndësishëm në karrierën time si trajner, edhe pse në këto 4 vite e kemi përfunduar gjithmonë kampionatin midis katër të parëve në renditje.
Tani shpresoj të rekuperoj Jovetiçin dhe Gamberinin për ndeshjen kundër Interit”. Ka qenë entuziast edhe Vargas, lojtari nga Peruja, që me golin e shënuar kundër Lionit nga pika e bardhë e penalltisë i ka dhuruar kualifikimin në fazën e dytë të Champions Ligës Fiorentinës: “Prandeli na ka bërë komplimentat për këtë fitore. Kalimi i turit për ne është një rezultat i jashtëzakonshëm dhe kundër Lionit kemi zhvilluar një ndeshje të madhe, - ka deklaruar mbrojtësi i krahut. - Jemi më të qetë në krahasim me vitin e kaluar dhe jemi të vetdijshëm se mund të bëjmë mirë. Tani duhet të vazhdojmë në këtë rrugë, edhe në kampionat”. Për arritjen historike në Europë ka folur edhe presidenti Dela Vale: “Këta lojtarë po i çojnë ngjyrat e klubit shumë lart. Fiorentina tani bën pjesë tek skuadrat e mëdha të futbollit. Eshtë një rezultat i jashtëzakonshëm. Duhet ta shijojmë dhe ta festojmë në mënyrën e duhur”, ka thënë ai.