18 nëntor 2009
Sandërlend vs Arsenal = Lorik Cana vs Fabregas
Është fantastike të shikosh rikthimin e Lorik Canës pas pezullimit të parë sezonal në Premier League. Kështu shprehet Gari Rouell, ish-lojtari i "Maceve të Zeza", i cili merr në analizë pragndeshjen e së shtunës Sandërlend-Arsenal, të cilën e cilëson "një sfidë të veçantë, pasi e gjithë lufta pritet të zhvillohet në mesfushë dhe beteja kryesore do të jetë mes Canës dhe Çesk Fabregas. Nuk do të ishte aspak e ekzagjeruar nëse do të thoshin se kush e fiton këtë betejë do të jetë vendimtar në rezultatin e ndeshjes", nënvizon Rouell. "Sipas meje, Fabregas është lojtari më i rëndësishëm Arsenalit, nga ku kalon çdo sulm i skuadrës. Nuk do të thotë se janë një ekip që varet nga një individ, pasi në skuadrën e tyre ka talente të klasit botëror, por Fabregas do të jetë më i rrezikshmi gjatë kësaj fundjave. Prandaj do të jetë interesante të shikojmë se kush do ta fitojë betejën e mesfushës, ai apo Cana. Fabregas ka aftësinë dhe talentin që të çajë çdo mbrojtje në botë. Por edhe vlerat Canës nuk mund të anashkalohen, pasi ai është bërë një lojtar kyç në mesfushën e Sandërlendit" përfundon ish-lojtari i "Maceve të Zeza". Vetë shqiptari është optimist, skuadra e tij mund t‘i shkaktojë një surprizë Arsenalit të vendit të dytë në ndeshjen në "Stadium of Light". Ai duket i karikuar edhe prej paraqitjeve të Sanderlendit kundër tre prej skuadrave të të ashtuquajturit ‘big-four‘: humbi 3-1 me Çelsin në shtëpi, barazoi 2-2 me Mançester Junajtid dhe fitoi 1-0 ndaj Liverpulit. "Ndonjëherë kur luajmë ndaj skuadrave të mëdha, demonstrojmë një nivel të lartë përqendrimi, performance dhe shpirti gare, thekson Cana. Arsenali është padyshim një skuadër shumë e mirë. Ata do të luftojnë për titull me Mançesterin dhe Çelsin. Po luajnë shumë mirë kohët e fundit. Janë shumë të shpejtë në organizimin e sulmeve. Por ne kemi një skuadër me potencial që mund t‘i ndalë ata", përfundoi shqiptari.