25 nëntor 2009

Rasti “Henri”, gjyqtari Hanson: S’kisha faj!

Sipas një riprodhimi grafik të bërë nga “Times”, rezulton se Martin Hanson dhe asistenti i tij nuk kishin pamjen e duhur për të parë prekjen me dorë të sulmuesit të Barcelonës në ndeshjen Francë-Irlandë.Menjëherë pas takimit të shumëpërfolur, vetë Henri pranoi se e kishte marrë topin me dorë në rastin e golit që çoi Francën në Botëror. Por një analizë e bërë nga e përditshmja britanike “Times”, i publikuar edhe në gazetat suedeze, del në përfundimin se nga pozicioni ku ndodhej (në kufijtë e zonës), gjyqtari nuk kishte mundësi të shikonte prekjen e topit me dorë nga Henri, pasi pamja e tij pengohej nga plot tre lojtarë irlandezë.
Kurse asistenti i tij nuk mundi të shikojë, sepse pengohej nga portieri Shei Given. “Grafika më shfajësoi plotësisht – tha 38-vjeçari suedez (me profesion zjarrfikës) – por kur u ktheva në Suedi, fillova të pyes veten nëse ia vlente të duroja gjithë ato akuza. Pastaj, kur e pashë përsëri aksionin, kuptova se nuk ishte faji im dhe se në atë moment nuk mund të kisha marrë një vendim tjetër. Është e vërtetë që ishte një vendim me pasoja për Irlandën, por e përsëris, nuk ishte as faji im, as i ndihmësve të mi”, deklaroi Martin Hanson.