Greqia në BotërorPërfaqësuesja e Greqisë ka shënuar fitore si mysafir i Ukrainës për të siguruar vizën për në Kampionatin Botëror 2010.
Pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë në Athinë, helenët e mposhtën Ukrainën në Donbass Arena në Donetsk me rezultat minimal për të zënë një vend në Afrikën e Jugut.
Heroi i grekëve këtë mbrëmje ishte Dimitris Salpingidis, i cili në minutën e 31-të shënoi golin e vetëm në ndeshje që ishte edhe goli kualifikues.
Është kjo hera e parë që nga viti 1994 që grekët janë pjesë e një Kampionati Botëror.
Portugalia eliminon Bosnjën
Në të dyja ndeshjet e barashit për një vend në Kampionatin Botëror, Portugalia ka shënuar fitore minimale përballë Bosnje-Hercegovinës, për të siguruar një vend në Afrikën e Jugut.
Me rezultat prej 1-0, portugezët fituan në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në Estadio da Luz të Lisbonës, ndërsa me të njëjtin rezultat mposhtën boshnjakët edhe në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Bilino Polje të Zenices.
Golin e vetëm për Portugalinë sonte e shënoi Raul Meireles (56’), i cili shfrytëzoi një pasim të Nanit.
Pas golit të pësuar boshnjakët duhej të shënonin tri herë për t’u kualifikuar, ndërsa deri në fund të ndeshjes ata nuk arritën të ndryshonin asgjë. Dhe kështu, Portugalia do të jetë në Kampionatin Botëror 2010.
Sllovenia lë Rusinë në shtëpi
Përfaqësuesja e Sllovenisë ka siguruar kualifikimin për në Kampionatin Botëror 2010, falë golit të shënuar në terren mysafir në ndeshjen e parë të barashit kundër Rusisë.
Në përballjen e parë, të zhvilluar në Luzhniki Stadium të Moskës, Rusia fitoi me rezultat prej 2-1, ndërsa në ndeshjen kthyese, sllovenët shënuan fitore prej 1-0 për të qenë pjesë e skuadrave pjesëmarrëse në Kampionatin e ardhshëm Botëror.
Njeriu që dërgoi Slloveninë në Afrikën e Jugut ishte Zlatko Dedic, i cili shënoi golin vendimtar në minutën e 44.
Duhet përmendur se nga minuta e 67-të, rusët luajtën me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit të Aleksandr Kerzhakov me karton të kuq. Ndërsa në fund të ndeshjes (90’) edhe Yuri Zhirkov u përjashtua nga ndeshja.
Franca kualifikohet pas vazhdimeve
Franca ka arritur të sigurojë një vend në Kampionatin e ardhshëm Botëror duke barazuar përballë Irlandës në Stade de France të Parisit me rezultat 1-1.
Në ndeshjen e parë, Les Bleus fituan me rezultat minimal si mysafirë të Irlandës në Croke Park, dhe dukej se do ta kishin shumë lehtë në ndeshjen e kthimit pasi luanin si vendas.
Mirëpo nuk ndodhi ashtu. Mysafirët krijuan avantazh në minutën e 33-të me anë të Robbie Keane dhe e mbajtën këtë epërsi deri në fund të kohës së rregullt, prandaj u deshën vazhdimet për t’u caktuar se kusht do të shkonte në Botëror.
Në vazhdime, Franca u tregua më efikase duke shënuar me anë të William Gallas (103’), i cili pranoi një top nga 'dora' e Thierry Henry për ta barazuar rezultatin.
Ky gol ishte i mjaftueshëm që Franca të kualifikohej në Kampionatin Botëror 2010 që zhvillohen verën që vjen në Afrikën e Jugut.