Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu dhe Haki Demolli, të shoqëruar nga kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, të martën kanë udhëtuar drejt Zvicrës, ku të mërkurën do të takohen me sekretarin e FIFA-s, Jerome Valcke.
Në këtë takim, zyrtarët e FFK-së do ta prezantojnë materialin ligjor, të kërkuar nga zyrtarët e FIFA-s, gjatë takimit të parë të delegacionit kosovar me Sepp Blatterin, i cili u mbajt më 5 nëntor.
Këtë dosje do ta prezantojë Eroll Salihu, i cili tha se në të janë përmbledhur shumë fakte që dëshmojnë se FFK-ja është federatë funksionale që prej vitit të largët, 1948.
“Ky do të jetë takim pune. Unë do ta prezantoj dosjen të cilën e kemi përgatitur, e cila pasqyron se si ka funksionuar FFK-ja vite më parë. Pra, ne kemi mbledhur fakte që FFK-ja nuk është federatë e re, por ajo funksionon që nga viti 1948. Do të thotë, në këtë dosje tregohet mënyra se si ka funksionuar FFK-ja në kohën e atëhershme të ish-Jugosllavisë dhe si funksionon tani”, deklaroi Salihu për Express.
Sipas tij, në këtë takim do të bisedohet edhe për çështjen e transferimeve të lojtarëve nga Kosova nëpër shtetet e tjera, për të cilën temë do të flasë Haki Demolli.
Njëherësh, rreth kësaj çështjeje, zyrtarët e FFK-së patën kërkuar në takimin e parë të 5 nëntorit nga FIFA, që klubet e huaja t’u paguajnë dëmshpërblime ekipeve kosovare nëse transferojnë ndonjë lojtar nga Kosova.
Pos kësaj, zyrtarët e FFK-së në atë takim patën kërkuar që FIFA ta lejojë përfaqësuesen e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore, deri në pranimin e plotë të FFK-së në këtë asociacion.
Ndërsa, kërkesa e tretë e palës kosovare ka qenë që klubet kosovare të lejohen të marrin pjesë në garat evropiane deri në pranim të plotë të Kosovës në UEFA e FIFA.
Kreu i FIFA-s, Sepp Blatter, gjatë atij takimi u pati premtuar kosovarëve se këto kërkesa të tyre do të shqyrtohen në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, që mbahet më 3 dhe 4 dhjetor.
“Kjo dosje do të përcillet më pas edhe në Komitetin Ekzekutiv të FIFA-s. Këto argumente që janë përmbledhur në këtë dosje, do të na ndihmojnë që kërkesat tona të aprovohen nga FIFA. Madje, me këtë dosje do të ndihmohet edhe pranimi i plotë i Kosovës në FIFA dhe UEFA. Këto takime dhe kjo dosje do të jenë shumë frytdhënëse për Kosovën. Sigurisht se tani punët do të lëvizin në favorin tonë”, përfundoi Salihu.
Takimi ndërmjet zyrtarëve të futbollit kosovar dhe sekretarit të FIFA-s, Jerome Valcke, do të mbahet nga ora 10:00 në shtëpinë botërore të futbollit- në Zurich.