26 nëntor 2009

Lajme nga Futbolli Shqiptar

Barazimi në Krujë kënaq Shkumbinin

Krutanët nuk kanë arritur ta shfrytëzojnë faktorin fushë, duke e vështirësuar së tepërmi kualifikimin

Kastrioti - Shkumbini 1‑1

Kastrioti: Mustafa, Shameti, Shala, Grizha, Caca, Turdiu, Gocaj, Roshi, Jusufi, Pema, Abazaj. Trajner: Sh.Dallaku.
Shkumbini: Bejte, A.Sekseri (Xhyra 11′), Pashaj, Mustafaraj, Gjyla, Çaushaj, Dervishi, Xhafa, I.Sekseri (Mujdragiç 89′), Koreshi, Çapja. Trajner: K.Mile.
Shënues: Jusufi 3′ / Çaushaj 12′ (11-m)
Gjyqtarë: L.Mustafaraj, R.Avdo, E.Dëraj (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Braho, Çapja, Roshi, I.Sekseri, Shameti, Xhyra

Kastrioti dhe Shkumbini, dy skuadra pjesëmarrëse në superligë, janë takuar dje në Krujë, në kuadrin e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Kjo ndeshje, që është ndjekur nga rreth 1000 sportdashës, është mbyllur në barazim 1-1, rezultat që natyrisht kënaq miqtë peqinas. Të dy skuadrat e kanë nisur lojën me formacionet më të mira dhe gjithçka shkon mirë për krutanët, të cilët, pas 3 minutash, e shohin veten në epërsi. Jusufi gjuan saktë në hyrje të zonës dhe mposht portierin Bejte. Por vetëm pak minuta zgjat gëzimi i vendësve, sepse Shkumbini fiton një 11-metërsh, që ekzekutohet saktë nga Çaushaj. Topi i gjuajtur nga Mustafaraj është përplasur në dorën e mbrojtësi krutan dhe gjyqtari Mustafaraj, pranë aksionit, akordon 11-metërsh.
Krutanët nisin sërish sulmet e tyre dhe i afrohen disa herë golit me anë të Roshit dhe Abazajt. Gjithsesi, lojtarët e Kastriotit janë disi konfuzë në momentin final, ndërsa miqtë peqinas provojnë me Çaushajn, i cili nuk gjen dot kuadratin. Kastrioti ushtron presion, por nuk e gjen rrugën e rrjetës për shkak të paqartësisë së sulmuesve të tij. Pjesa e dytë dhuron momente të bukura dhe raste për shënim për të dyja skuadrat. Vendësit sulmojnë më tepër, por janë të pafat. Në morinë e rasteve të tyre veçohen ata të Abazajt, Turdiut dhe Grizhës, të cilët nuk kanë pasur sukses.
Por edhe peqinasit nuk mbeten prapa me raste. Madje, ata kanë pasur rastin më të mirë për golin e fitores në minutën e 83-të, kur Mustafaraj, me portë të boshatisur, nuk është në gjendje të shënojë. Topi largohet në vijën fatale nga mbrojtësi Shala. Kështu, mbyllet në barazim ndeshja e parë mes Kastriotit dhe Shkumbinit, ku natyrisht që më të favorizuar për të kaluar në turin tjetër janë peqinasit, të cilët kanë shënuar në fushë kundërshtare. Megjithatë, krutanët nuk janë dorëzuar, sepse në 90-minutëshin e kthimit gjithçka mund të ndodhë.

Deklarojnë…

Shaban Dallaku, trajner i Kastriotit: “Prisja një tjetër rezultat në këtë ndeshje, pra fitoren. Futbollistët nuk ishin në nivelin e kërkuar dhe sulmuesit u treguan mjaft konfuzë në momentet e finalizimit. Pavarësisht barazimit në këtë ndeshje, Kastrioti do të luftojë deri në fund për kualifikimin. Tashmë duhet të përqendrohemi te ndeshje e radhës në kryeqytet me Dinamon.”
Kristaq Mile, trajner i Shkumbinit: “Eshtë një rezultat i kënaqshëm, që na favorizon dukshëm në ndeshjen e kthimit në fushën tonë. Me pak kujdes, edhe mund ta kishinm fituar ndeshjen, sepse rastet u krijuan. Ato pak të meta që u konstatuan në këtë ndeshje, mendoj se do t’i riparojmë në ndeshjen e kthimit.”

Lushnja, barazim morali me Tiranën para Bylisit

Me shumë të rinj në formacionin titullar, lushnjarët marrin rezultat pozitiv ndaj kampionëve

Lushnja ‑ Tirana 2‑2

Lushnja: Spaho (Andoniu 46′), Alcani, Sulo, Sula, Prela, Çela, Korreshi, Topi, Kule (Byzhyti 46′), Canka (Bubeqi 46′), Arbri.

Trajner: A.Bano.

Tirana: Korunovski, Abraham, Bicaj, Sina, Ahmataj, Sefa (Çeliku 85′), Abilaliaj, Memelli (Hajdari 55′), Pashaj, Karabeci (Sorra 55′), Malindi. Trajner: A.Tafaj.
Shënues: Byzhyti 46′, Çela 94′ / Memelli 27′, Abilaliaj 36′
Gjyqtarë: E.Jorgji, E.Bodeci, R.Preçi (Elbasan)
Kartonë të verdhë: Prela, Byzhyti, Buqeqi, Malindi, Sina

Lushnja dhe Tirana janë ndarë në barazim 2‑2 në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Një ndeshje, që nga vetë pozitat e dy skuadrave, dihej si do të shkonte. Në pjesën e parë, Tirana shënon dy herë në portën e Spahos, por për të arritur deri këtu, të besuarve të Tafajt iu desh shumë punë. Lushnjarët, me 5 titullarë në pjesën e parë, përpiqen të mbajnë ritmin e kampionëve, por nuk vonon dhe kryeqytetasit japin sinjalet e para.
Abilaliaj, pas 5 minutash, e dërgon topin në rrjetë, por më parë sinjalizohet një pozicion jashtë loje. Të njëjtën gjë e bën vlonjati edhe në minutën e 17-të, por sërish në pozicion jashtë loje. Përgjigjen lushnjarët me Cankën, i cili pengohet në zonë, por loja vazhdon për kryesorin Jorgji. Një minutë më pas, vendësit pretendojnë për një 11-metërsh, kur topi preket me dorë nga mbrojtja mike, por përsëri nuk ka asgjë. Në minutën e 27-të Tirana kalon në epërsi. Malindi merr krahun e djathtë dhe harkon në zonë, ku del i lirë Memelli, i cili nuk e ka të vështirë ta mposhtë Spahon.
Në të 36-ën minutë, Ahmataj nxjerr të lirë në zonë Abilaliajn, që dyfishon rezultatin. Pesë minuta më pas përgjigjen lushnjarët me Cankën, që godet nga distanca, por topi përfundon jashtë. Kështu do të mbyllej fraksioni i parë, ndërsa në të dytin, Lushnja bën 3 zëvendësime. Del portieri Spaho dhe hyn i riu Andoniu në portë, ikën Kule dhe në mesfushë vjen Byzhyti, ndërsa Canka i lë vendin Bubeqit në sulm. Nuk vonon dhe që në aksionin e dytë të kësaj pjese Byzhyti shkurton diferencën. Çela kroson në zonë dhe Byzhyti devijon sa duhet për të shënuar golin e parë.
Aksione të njëpasnjëshme të skuadrës vendëse, por edhe Tirana kundërsulmon frikshëm. Prela devijon bukur me kokë topin e krosuar nga Koreshi, por është në pozicion Korunovski. Bubeqi gati sa nuk barazon më pas, por topi i gjuajtur prejt tij përfundon jashtë. Provon edhe Byzhyti nga distanca, por jashtë sërish. Në të 64-ën Bubeqi shënon, por më parë kishte shkaktuar faull ndaj një mbrojtësi. Për Tiranën rrezikon Abilaliaj, që gjuan në hyrje të zonës, por jashtë. Ka shumë aksione nga të dyja skuadrat, por mungon finalizimi. Ndërkohë, nuk mungojnë edhe konfrontimet: Sina me Bubeqin, Malindi me Byzhytin, tregojnë se ka luftë sportive, që nuk lejohet të degjenerojë më tej.
Lushnjarët e kërkojnë barazimin, që nuk është se do t’i shpëtojë. Gjithsesi, ata luftojnë dhe në minutën e fundit shtesë është kapiteni Çela që barazon. Nga jashtë zone, ai nis një top në formë krosi, prirët me portën. Korunovski nuk ka fushëpamje nga mbrojtja e tij dhe topi pushon në rrjetë. Ka kohë vetëm për rinisjen e lojës nga qendra dhe përfundon në barazim kjo ndeshje me ritëm. Lushnjarët, edhe pse janë ruajtur për ndeshjen e kampionatit me Bylisin, arrijnë të barazojnë 2‑2 me një Tiranë, që nuk ishte kurrsesi ajo që duhej të ishte.

Deklarojnë…

Artan Bano, trajner i Lushnjës: “Nuk është objektivi ynë madhor Kupa, prandaj jemi paraqitur në fushë me një ekip të reduktuar. Gjithsesi, mbetemi me idenë se duhen provuar edhe futbollistët e stolit, që kërkojnë një vend në formacion. Ndeshja pati rëndësinë e saj morale për ne.”
Alban Tafaj, trajner i Tiranës: “Futbollistët tanë janë ende nën një “shock” psikologjik që nga ndeshja me Laçin. Mund të them se ishte një pjesë e parë e mirë, ku shënuam dy herë, por në pjesën e dytë futbollistët nuk luajtën ashtu si duhet dhe Lushnja përfitoi, duke na barazuar në fund. Mund të them se kualifikimin e kemi të sigurt me këtë rezultat të arritur në Lushnjë.”

Gramozi thyen Flamurtarin edhe në Kupë

Kolonjarët sërish kanë mposhtur vlonjatët, duke shpresuar kualifikimin për në turin tjetër

Gramozi - Flamurtari 1‑0

Shënues: Babaj 27′

Gramozi: Ametlli, Rexhepi, Semina, Groshevski, Bajollari, Babaj, Shaqiri (Olivera 77′), Metani (Lena 58′), Hyseni (Sadiku 67′), Dos Santos, Peçi. Trajner: A.Canaj.
Flamurtari: Halili, Arifaj, Sakaj, Veliu, Belisha, Kuqi, Strati, Alvizh (Shoshi 57′), Junior, Mema (Gjukiç 57′), Shehaj (Begaj 46′). Trajner: G.Magani.
Gjyqtarë: R.Sadiku, A.Mahmuti, E.Ganxhi (Elbasan)
Kartonë të verdhë: Rexhepi, Arifaj, Strati, Alvizh

Pavarësisht se luhej për Kupë dhe rezultatet e Gramozit për fazën e parë nuk kanë qenë të kënaqshme, duke u renditur të fundit, përsëri sportdashësit kolonjarë kishin mbushur shkallët e stadiumit, duke përkrahur ekipin e tyre. Me golin e Babajt në minutën e 27-të ekipi kolonjar arrin të mposhtë për të dytën herë ekipin vlonjat në Ersekë.
Futbollistët kolonjarë në këtë takim janë treguar më efikasë, duke zhvilluar gjatë 90 minutave vetëm lojë sulmuese, pasi loja e tyre ka qenë racionale dhe shumë korrekte, ashtu edhe kundërshtari. Loja ka qenë sulmuese nga kolonjarët, ndërsa futbollistët janë treguar korrektë, por edhe të disiplinuar në zbatimin e detyrave taktike të dhëna nga trajneri për këtë ndeshje, pavarësisht se nga formacioni kryesor në fillim të këtij takimi mungonin plot pesë lojtarë.
Loja ka filluar me një sulm të vendësve, që me anë të Hysenit kanë rezikuar në minutën e dytë portierin Halili, që ia rrëmben topin nga këmba. Kolonjarët, duke kërkuar që në fillim të shënojnë, vazhdojnë sulmet e tyre me sulmuesin kryesor Dos Santos, por pa rezultat. Por edhe miqtë nga Vlora, pavarësisht se mendojnë më shumë për mos pësuar gol, nuk harrojnë të shohin edhe nga sulmi, ku në minutën e 20-të Kuqi lëshon një “predhë” nga 20 metra, topi kalon drejt shtyllës së portës të mbrojtur nga portieri Ametlli.
Ky qe edhe rasti i vetëm për miqtë në pjesën e parë. Vendësit, të organizuar mirë nga mesfusha me Babaj dhe Shaqiri, i afrohen edhe disa herë portës së portierit Halili, duke e detyruar në minutën e 27-të të nxjerrë topin nga rrjeta, pas asaj gjuajtjeje të kosovarit Babaj. Vendësit edhe pas golit duken më tepër agresivë dhe rastet e tyre nuk mungojnë, ku Bajollari, Hyseni, Shaqiri dhe Metani i afrohen disa herë portës, por pa arritur të shënojnë. Pjesa e dytë fillon përsëri më e mirë për vendësit, pas një krosi të Bajollarit në zonë, ndërhyn Metani, por grushton portieri në goditje këndi.
Më pas kemi ngj gjuajtje të vlonjatëve nga jashtë zone, por pa rezultat. Në këtë pjesë kanë sërish kolonjarët që kërkojnë të shënojnë, ku natyrisht një gol tjetër pothuajse do t’i kualifikonte ata në turin tjetër. Por vlonjatët nuk lejojnë më të shënohet, duke parë edhe ndonjë kundërsulm madje. Kështu ky takim ka përfunduar me fitoren e kolonjarëve, por mbetet i hapur për takimin e dytë që do të luhet në Vlorë.

Deklarojnë…

Agim Canaj, trajner i Gramozit: “Duke marrë parasysh specifikën e Kupës, kishim mundësi që ta dyfishonim rezultatin dhe ashtu siç edhe në fund mund të ishim rrezikuar nga ekipi i Flamurtarit. Për problemin e rasteve të humbura, sulmuesit tanë nuk i shfrytëzojnë akoma hapësirat. Kishim mundësi të fitonim më pastër. Kjo ishte ndeshja e parë, është një hap i mirë, për të menduar për ndeshjen e dytë, që është pas dy javësh. Tashmë do të mendojmë për ndeshjen e kampionatit me Shkumbinin.”
Gugash Magani, trajner i Flamurtarit: “Kjo ndeshje pati dy tablo. Një pjesë të parë që duhet harruar dhe një pjesë të dytë ku ekipi reagoi. Megjithatë, nuk jam fare i kënaqur, duke parë ndeshjen e një jave më parë me Kastriotin, ku ekipi pati grintë, e cila sot nuk ekzistoi fare në lojtarë të veçantë, por dua të them se është një rezultat negativ. Megjithatë, Kupa ka specifikën e vet dhe ne do të bëjmë të pamundurën në Vlorë që të kualifikohemi.”

Partizani-Teuta, kualifikimi vendoset në Durrës

Ndeshja e parë mes të kuqve dhe durrsakëve përfundon në barazim 1-1, ku të dy golat shënohen nga miqtë

Partizani - Teuta 1-1

Shënues: Jakupi 3′ (autogol), Hoxha 43′
Partizani: Xhika, Pinari, Sheta, Bakalli, Pashaj, Beqiri, Dahriu, Mërtiri (Kënga 86′), Sulçe, Agolli (Çeka 69′), Asllani (Dashi 60′)
Trajner: G. Mahmutaj
Teuta: Rizvani, Stafa, Jakupi, Likmeta, Mersini, Xhemali (Ferra 64′), Hodo, Muçollari (Selaci 85′), Hoxha, Hysa, Mile (Rakipi 64′)
Trajner: M. Josa
Gjyqtarë: L. Alla, A.Guçe, D. Koreshi (Lushnjë)
Kartonë të verdhë: Jakupi, Likmeta, Hodo

Në stadiumin “Selman Stërmasi” dje u luajt ndeshja e parë e raundit të dytë të Kupës mes Partizanit dhe Teutës, 90-minutësh i cili u mbyll në barazim 1-1.
Partizani, megjithëse nuk e kishte të plotë grupin, pasi ka lojtarë me probleme shëndetësore, në fushën e lojës zbriti formacioni më i mirë i mundshëm. Edhe në kampin kundërshtar kishte mungesa, por në letër mendohej se do të ishte Teuta ajo që do ta zgjidhte në favorin e saj këtë takim. Fati qe më Partizanin që në fillim, pasi i ndihmuar nga mbrojtësi Jakupi, arrin të kalojë në avantazh në minutën e tretë. Mbrojtësi i Teutës kishte topin në zotërim pas thyrjes së një aksioni të Partizanit dhe e kthen atë në formë parabole te portieri Rizvani, por topi përplaset në shtyllën pingule dhe përfundon në rrjetë. Pas këtij goli loja përqendrohet në mesfushë, ku të dy ekipet provojnë me gjuajtje nga distanca.
Goli i barazimit do të vijë në minutën e 43-të, kur topi i futur në zonë nga lojtarët e Teutës largohet me kokë nga Pashaj dhe përfundon te mesfushori Hoxha, i cili në kufijtë e zonës, i lirë, gjuan fort dhe 1-1. Pjesa e dytë ecën në ritmin e 45 minutave të para, por nuk shënohen gola të tjerë. Të kuqtë kërkojnë të jenë diktues, por pa finalizim. Përfundimi i kësaj ndeshjeje e lë të hapur kualifikimin, megjithëse duhet pranuar se barazimi 1-1 i shkon më për shtat Teutës, e cila pa dyshim pas dy javësh nuk do të jetë apatike si dje në “Selman Stërmasi”. Për Partizanin kjo ndeshje ishte pozitive, pasi skuadra tregoi se nuk është ajo që luajti në fundjavë me Lushnjën.

Deklaruan

Genc Mahmutaj, trajner i Partizanit: “Në këtë ndeshje u munduam të japim maksimumin dhe besoj se e bëmë një gjë të tillë, pavarësisht se kishim disa mungesa në formacion. Them se bëmë një paraqitje të mirë, ku neglizhuam vetëm te rasti i pësimit të golit. Në futboll asgjë nuk është e pamundur, kështu që do ta synojmë kualifikimin në ndeshjen e kthimit pas dy javësh në Durrës.”
Mirel Josa, trajner i Teutës: “Barazimi na shkon për shtat, por duhej të ishim më kërkues nga ç’u paraqitëm në fushë. Nuk duhej nënvleftësuar Partizani, pasi ka një fanellë shumë të rëndë. Nuk ka shumë diferenca në futbollin shqiptar. Lojtarët në fushë duhet të zbatojnë vetëm detyrat, të tregojnë kolektivitet dhe luftë sportive, sepse nuk kemi lojtarë të klasit botëror, që ta marrin topin e ta fusin vetë në rrjetë. Si sport kolektiv në fushë duhet të bësh ato që di e jo ato që s’di, sepse del më i dobti në fushë.”