17 nëntor 2009

Josip Kuzhe “zbërthen” Shqipërinë e Euro 2012-s

Trajneri i Shqipërisë u jep kurajë të rinjve, por mendon se është ende herët për t’i aktivizuar

Kishte paralajmëruar rrëfimin “dimëror” menjëherë pas miqësores me Estoninë dhe, si gjithmonë, tepër i përpiktë, u është përgjigjur pa dorashka pyetjeve të shumta të gazetarëve. Ka dhënë shumë mesazhe, në mënyrën e tij diplomatike, por në asnjë moment nuk ka lënë vend për keqkuptime. Pavarësisht se nuk ka dalë me një listë të futbollistët që do të besojë për Euro 2012-n, ka lënë të nënkuptohet gjithçka.

‑ Çfarë fitoi kombëtarja nga ndeshja në Estoni?

‑ Ishte takimi i parë përgatitor për elimintoret e Euro 2012‑s. Kishim disa qëllime: të arrinim rezultat dhe të gjenim mënyrën më të mirë për të luajtur në të ardhmen. Pas ndeshjes me Suedinë, duhet të ishim të organizuar në lojën mbrojtëse. Ky, praktikisht, ishte qëllimi ynë primar. Jam i kënaqur me mënyrën se si u mbrojtëm. Sigurisht që fituam edhe disa lojtarë të rinj.

‑ Zëvendësimet erdhën pas minutës së 70‑të, ndërsa titullarët luajtën gjithë kohën. Kjo ishte ndeshja juaj eksperimentale?

‑ Ishte një miqësore ku nuk mund të bënim shumë ndryshime. Nëse do të kishim humbur, sot do të isha i bombarduar nga ju. Mua më pëlqen të kem rezultate të mira dhe arsyeja pse nuk zëvendësova Skelën, Duron apo Canën ka të bëjë me rezultatin pozitiv. Mund të aktivizojmë disa lojtarë të rinj, por Skela, Cana, Duro etj., do të jenë gjithmonë në skuadër. Po të luaja me 5‑6 të rinj, nuk do të mund të merrnim rezultate pozitive, e si rrjedhojë atmosfera s’do të ishte e mirë.

‑ Do të luani edhe në të ardhmen me skemën 4‑1‑4‑1 dhe a mund të kemi ndryshime pozicionesh të lojtarëve?

‑ Kemi deficite në disa pozicione. Dua të gjej një lojtar në mbrojtje dhe një në mesfushë, që mund të luajnë në disa pozicione. Në këto kushte mund të bëjmë disa kombinime me Duron, Bulkun që mund të luajë i vetëm apo me të tjerë, si dhe kalimin e Currit në mesfushë. Ne kemi 12‑13 lojtarë që mund të luajnë shumë mirë si titullarë në kualifikuese. Qëllimi ynë ishte të gjejmë të tjerë lojtarë për të ardhmen.

‑ Cili do të jetë titullari i portës?

‑ Sigurisht që me eksperiencën që ka do të jetë Arjan Beqaj. Por edhe ai duhet të tregojë vlerat e tij më të mira.

‑ A e keni të plotë grupin e futbollistëve për Euro 2012 dhe a do të kërkoni lojtarë të tjerë?

‑ Në listën tonë kemi lojtarë që do të luajnë në nivele të larta të paktën për dy vitet e arshme, si Bogdani, Skela dhe Duro. Ata kanë ambicie dhe nuk janë të vjetër për ta lënë kombëtaren. Për sa u takon lojtarëve të rinj, do të mundohemi të gjejmë disa futbollistë në pozicione të ndryshme, pasi 10 ndeshjet eliminatore kërkojnë një grup të madh futbollistësh. Do të zhvillojë lojtarët që kemi, por nuk përjashtohet mundësia që të marrim edhe lojtarë që luajnë jashtë, siç kanë bërë Bosnja dhe Turqia.

- Shqipëria do të luajë me një apo dy sulmes gjatë eliminatoreve të ardhshme?

‑ Varet nga shumë faktorë. Për mendimin tim, skema 4‑1‑4‑1 është shumë e mirë për sistemin tonë mbrojtës. Duhet të kuptojmë që lojë sulmuese nuk do të thotë të kesh medoemos dy apo tre sulmues. Një skuadër luan në sulm kur ka individualite, pra lojtarë të veçantë që mund të jenë të fortë, të shpejtë dhe mjaft teknikë. Nuk kemi futbollistë që mund ta fitojnë të vetëm ndeshjen. Shqipëria vendoset mirë në mbrojtje dhe del në sulm gradualisht. Përderisa nuk kemi individualitete, duhet të shkojmë te porta kundërshtare me shumë kombinime. Jemi akoma në fillimet tona. Nuk mund të jem shumë i kënaqur me atë që kemi arritur deri tani. Për të krijuar një fizionomi sa më të qartë të lojës sonë, duhet ende kohë dhe stërvitje të shumta. Jam i bindur që mund ta rritim nivelin e lojës sulmuese. Edhe diçka tjetër për këtë problem: sa herë që luajmë me një sulmues, mundohem të aktivizoj lojtarë mesfushorë që dinë të sulmojnë rrezikshëm, për të kompensuar mungesën numerike në vijën e parë.

‑ Sa optimist është trajneri për grupin e futbollistëve që ka në dispozicion, meqë ju i keni parë futbollistët e kampionatit shqiptar?

‑ Në mënyre sistematike jemi përpjekur të krijojmë një listë të futbollistëve të rinj, që do të na shërbejnë për të ardhmen. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që për momentin ata nuk janë gati për të qenë në 11‑shen e parë apo të rëndësishëm për kombëtaren. Megjithatë, besoj që një vit më shumë eksperiencë në superligë krijon një diferencë të madhe. Më besoni për këtë. Veliu tani është 20‑21 vjeç dhe pas një viti mund të ketë rritje të nivelit të tij. Ndoshta në fillim të eliminatoreve të ardhshme do të ketë rol më të rëndësishëm në kombëtare. Kemi 4‑5 lojtarë të rinj, te të cilët besojmë, por shpresojmë njëkohësisht që të piqen më shumë. Rasti më konkret është ky djaloshi 17‑vjeçar që luan me Olimpiakosin. Tani ai duhet të tregojë veten te U‑21, por ndoshta pas një viti do të ketë rritje të nivelit të tij, çka mund ta bëjë lojtar të rëndësishëm.

‑ Me Estoninë të gjithë kishin lojtarë të rinj, që janë grumbulluar edhe më parë me kombëtaren. Ua keni vënë syrin të rinjve të tjerë?

‑ Duhet të panojmë që nuk kemi pasur shumë mundësi për të gjetur lojtarë të tjerë. Kur erdha në fillim ka ndjekur në një ndeshje Memellin (Tirana-Vllaznia, finalja e kampionatit), por muajt në vazhdim ai ka qenë i dëmtuar. Është një futbollist me potencial, që mund të na bënte punë. Ka edhe të tjerë si Cikallleshi, Januzi, Bala apo Roshi. Shqipëria ka potenciale, por ata janë akoma të rinj dhe duhet të rriten e t’i zhvillojnë cilësitë e tyre te Shpresa.


Përgjigjja diplomatike ndaj Rudi Vatës

Trajneri Kuzhe është pyetur për qëndrimin e ish-kapitenit Rudi Vata, i cili e konsideron “kukull” në krye të kuqezinjve, pasi vendimet i marrin të tjerët: “Mbi të gjitha, unë e respektoj të kaluarën e futbollit shqiptar. Futbolli në Shqipëri nuk ka lindur kur erdha unë. Do të isha i sëmurë po ta thosha këtë. Paraardhësit e mi, Hani, Bariçi etj., janë munduar të bëjnë më të mirën me Shqipërinë. Unë kam idetë e mia për lojtarët që duhet të aktivizoj. Nëse dikush nuk është dakord me atë që unë bëj, le të vijë të më bëjë sugjerimet e veta, sepse komentet nga jashtë mund të bëhen shumë kollaj. S’kam çfarë të komentoj më shumë.”


Renditja e portierëve: Beqaj, Ujkani, Hidi…

Trajneri i kuqezinjve nuk ka dashur të komentojë paraqitjen e Isli Hidit, por nuk ka ngurruar të bëjë një renditje të protierëve.

“Ne po mundohemi të gjejmë lojtarin më të mirë në këtë pozicion dhe zgjidhjen për të ardhmen. Vendosëm të provonim edhe një herë Hidin, por nuk mund të them se ishte mirë apo keq. Beqaj është duke u kthyer. Mendoj që treshja aktuale e portës është Beqaj-Ujkani-Hidi. Për të ardhmen duhet t’i vlerësojmë të gjithë portierët dhe të gjejmë edhe numrin 4 të portës, pasi vendi është bosh. Hidi është pjesë e skuadrës dhe ka luajtur mirë me Estoninë, por nuk më pëlqen ta analizoj më thellë performancën e tij.


Thënie pikante të Josip Kuzhes

Për Besart Berishën….

“E repsektoj Berishën dhe gjithçka ka bërë për kombëtaren. Për momentin, lojtarët që kam në dispozicion dhe profile i tyre janë më të rëndësishëm. E përsëris, Berisha do të vazhdojë të jetë në vëmendjen time, por gjithçka do të varet nga ajo që do të bëjë në Gjermani.”

Për Elis Bakajn…

“Pas ndeshjes kam thënë që kemi fituar Bakajn. Ai luan në disa pozicione. Mund zëvendësojë Skelën dhe në mënyrë shumë ofensive. Mund të mbrojë mirë nëse luajmë me dy sulmues. Në ndeshjen e ardhshme mund t’i jap pa frikë fanellën e titullarit.”

Për Jahmir Hykën…

“Edhe Hyka më ka pëlqyer. E vlerësoj shumë individualizmin. Por Hyka ka një problem: nuk luan te skuadra e tij, Mainci. Ka shumë nevojë të praktikohet dhe, nëse luan te Mainci, mund të bëjë më shumë edhe për kombëtaren.”

Për Gilman Likën…

“Edhe Gilman Lika luajti mirë me Estoninë. Ai luan fort dhe jep më të mirën e tij, sidomos në mbrojtje. Por unë pres më shumë nga ai dhe të tjerë në fazën sulmuese.”

Për lojtarët e sulmit….

Kemi Bogdanin, Salihin dhe Kapllanin, që është një futbollist i fuqishëm në zonën e rreptësisë. Si sulmues të tjerë preferoj lojtarë si Hyka, Bakaj ndoshta edhe Lika, që luajnë në mesfushë, por që kanë edhe tipare difensive.”

Për më të rinjtë…

“Shqipëria ka potenciale sulmuesish për të ardhmen. E kam fjalën për Balën, Roshin, Cikalleshin, Januzin… Thjesht duhet të presim.”