Iu mungoi efikasiteti
Besa e Pejës është njëra prej skuadrave që ka pësuar më së paku gola në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll. Kryetrajneri Genc Hoxha mburret që ka pasur mbrojtjen më të fortë në ligë, por jo edhe me repartin e sulmit. “Mendoj se objektivat që i kemi pasur në nismë të kampionatit i kemi përmbushur, por kemi mundur edhe më shumë të arrijmë gjatë stinorit vjeshtor. Në shumë ndeshje fati nuk na ka prirë, në disa patëm edhe oscilime, por në përgjithësi jam i kënaqur me formën që dëshmuan futbollistët e mi”, tha Hoxha. Skuadra e Besës stinorin vjeshtor e përfundoi në vendin e gjashtë me 25 pikë të tubuara. Kjo skuadër ka shënuar shtatë fitore, katër herë barazoi dhe pësoi gjashtë humbje, më një gol-dallim 17:12. “Kemi qenë skuadra më mbrojtjen më të fortë në ligë. Pësuam më së paku gola, gjithsej 12 gola nga 17 ndeshje të zhvilluara. Mirëpo, sulmi nuk ka qenë efikas ashtu si kemi parashikuar, por në të shumtën e herëve na ka munguar edhe fati sportiv në realizimin e rasteve të qind për qind. Në shumicën e ndeshjeve kemi pasur nga shtatë-tetë raste ideale për gola, por ka munguar finalizimi nga ana e sulmuesve. Shikuar në tërësi mund të jem i kënaqur me atë që dëshmuan futbollistët e mi dhe kemi kohë që t’i evitojmë gabimet që u paraqitën gjatë vjeshtës eventualisht në repartin e sulmit. Na duhet shumë për të punuar dhe për të bërë lojë edhe më cilësore”, theksoi Hoxha. Pejanët nuk janë edhe aq larg kreut të tabelës, pra shtatë pikë kanë mbetur pas kampionit vjeshtor, Trepçës nga Mitrovica. Hoxha tha se mund të ketë ndonjë përforcim për stinorin pranveror, por sipas tij varet krejt se çfarë synime mund të kenë drejtuesit e këtij klubit. Genc Hoxha është i kënaqur edhe me rrjedhën e garave të stinorit vjeshtor. “Ç’ është e vërteta liga këtë vit ka qenë shumë më atraktive, më interesante dhe joshëse edhe për dashamirët e këtij sportit. Çdo ndeshje ka qenë derbi dhe nuk është ditur kush është vendasi dhe mysafiri. Është treguar cilësi më e mirë, rivalitet i madh në çdo ndeshje dhe më së miri e ilustron dallimi i vogël në pikë në mes skuadrave. Zvogëlimi i ligës sa u pa në stinorin vjeshtor ka qenë i qëlluar dhe ka dhënë edhe efektin e vet. Mendoj se në stinorin pranveror lojëra do të jenë edhe më interesante dhe do të ketë shikueshmëri edhe më të madhe”, tha Hoxha.