19 nëntor 2009

Ferguson: Titulli mes nesh dhe Çelsit

Trajneri i Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson beson se për titullin në Premier Ligë do të jenë vetëm dy skuadra në garë. Tekniku skocez ka pranuar se ky sezon është më i luftuar në krahasim me kampionatet e kaluar, duke shpjeguar se nuk do të befasohej nëse një nga “Katër të Mëdhatë” të përfundonte jashtë katër vendeve të para në fund të sezonit. Megjithatë, ai beson se me vazhdimin e kampionatit vetëm dy skuadra do të vazhdojnë luftën për t’u shpallur kampionë të Anglisë. “Kam patur ndjesinë se diçka ka ndryshuar sezonin e kaluar. Skuadrat kryesore po humbin ndeshje dhe më shumë pikë në krahasim me të kaluarën në këtë fazë të parë të sezonit”, ka thënë Ferguson. “Kjo të bën të mendosh se do të jetë një kampionat shumë i vështirë.
Por eksperienca ime më thotë se dy skuadra do të shkëputen në fazën e fundit të sezonit. Besoj se do jemi ne dhe Çelsi”. I pyetur se cilat do të jenë dy skuadrat që do të siguronin vendin e tretë dhe të katërt në fundin e kampionatit, ai ka thënë: “E vetmja mënyrë që kam për të parashikuar se kush do të zërë një vend midis katër të parave është duke hedhur një monedhë, pasi Totenhemi, Aston Vila, Everton dhe Mançester Siti janë skuadra shumë të forta dhe të fuqishme ekonomiksht. Edhe sfida për një vend në Champions do të jetë e ashpër dhe secila nga këto skuadra mund të ketë sukses”.