18 nëntor 2009

Derbi në Prizren

Edhe pse tashmë ka përfunduar stinori vjeshtor i Superligës, aktivitetet futbollistike vazhdojnë. Kështu, të mërkurën zhvillohen ndeshjet e së tetës së finales për Kupën e Kosovës në futboll.

Ndeshja më interesante e këtij rrethi do të zhvillohet në Prizren ndërmjet dy rivalëve të vjetër, Lirisë dhe Prishtinës. Të dyja këto ekipe stinorin vjeshtor e kanë përmbyllur duke u pozicionuar në mesin e tabelës.

Të dyja këto skuadra dëshirojnë që të mbërrijnë në finalen e këtij trofeu, andaj përballja e së mërkurës mes tyre pritet të jetë pa kompromis.

“Do të mundohemi të zhvillojmë një lojë të bukur dhe efikase. Prishtinën e njohim mirë. Ajo ka skuadër solide dhe pozita momentale në tabelë, nuk do të na ofrojë ‘luks’, por përkundrazi do të ketë angazhim shtesë’, ka thënë kapiteni i Lirisë, Fitim Krusha, për ueb faqen zyrtare të klubit.

Në anën tjetër, edhe futbollisti i Prishtinës, Taulant Dajaku thotë se skuadra e tij do të përpiqet që ta mposhtë si mysafire ekipin bardhezi.

“Prishtina për çdo ndeshje përgatitet njësoj. Kemi kualitet dhe fond të pasur me lojtarë. Prishtina ka kualitet të lartë, afërsisht si të klubeve evropiane, pa dashur t’i nënçmojë klubet e tjera të Superligës. Do ta japim maksimumin në ndeshje ndaj Lirisë, me qëllim që të fitojmë, sepse dihet se nuk do të ketë ndeshje kthyese. Prandaj, ne synojmë fitore, sepse objektivi ynë është Kupa dhe titulli”, tha Dajaku për Express.

Në kuadër të këtij rrethi do të zhvillohen edhe gjashtë ndeshje të tjera, derisa Trepça veç është kualifikuar, sepse kundërshtari i saj, Llapi është tërhequr nga kjo garë.

1/8 e finales së Kupës së Kosovës
E mërkurë
Drenica – Rahoveci
Kosova (V) – Hysi
Liria – Prishtina
Besa – Ferizaj
F. Kosova – Ballkani
Gjilani – Flamurtari
Vëllaznimi – KEK-u
Trepça është kualifikuar pa lojë
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 13:00