Dy shqiptarët e vetëm në Ligën Premier, Lorik Cana dhe Valon Behrami, janë përballur sot në takimin e Ligës Premier që përfundoi me rezultat të barabartë 2-2.
Ekipi ku aktivizohet Behrami, West Ham United, kaloi në epërsi të dyfishtë, por ekipi i Canës, Sunderland arriti të rikthehet dhe të nxjerrë së paku barazim.
Guillermo Franco solli avantazhin e parë për West Hamin pas gjysmë ore lojë, ndërsa sulmuesi Carlton Cole dyfishoi epërsinë pas gjashtë minutash tjera (36’). Sunderlandi shpejt më pas ngushtoi disavnatazhin në 2-1 me anë të Andy Reid (39’), por pësoi në fund të pjesës së parë kur Kenwyne Jones u përjashtua nga loja.
Edhe pse me një lojtar më pak Sundeland arriti të nxjerrë barazim, duke shënuar me anë të Kieran Richardson 15 minuta para fundit të takimit. Edhe mysafirët mbetën me 10 lojtarë në fushë në minutat e fundit të takimit pas përjashtimit të Radoslav Kovac (87’).
Behrami i cili luajti për 68 minuta dhe u zëvendësua nga Alessandro Diamanti, pati një rast të mirë shënimi në minutën e 17-të të takimit, kur goditja e tij u mbrojt nga portieri vendas Craig Gordon.
Kapiteni i Sunderlandit, Lorik Cana, në anën tjetër luajti gjatë gjithë ndeshjes dhe nuk arriti të dalë pa marrë karton të verdhë, madje në një moment rrezikoi edhe kartonin e kuq.