14 maj 2011

Bufon dhe Kielini: Ishte një sezon zhgënjyes


Portieri i Juves mbron sërish trajnerin Del Nerin dhe ironizon: Më duket se do marrim Kristiano Ronaldon

Hidhërimi është i madh, ashtu si bindja se nuk është Del Neri përgjegjësi i këtij sezoni zhgënjyes. Xhixhi Bufon akoma nuk i ka harruar përmbysjet e rezultatit të pësuar nga Juvja ndaj Katanias dhe Kievos: katër pikë që do t’i kishin lejuar Juves të ishin akoma në garë për një vend në Champions.

“Ka qenë një sezon i ngjashëm me atë të kaluarin, - ka thënë Bufon, - për rrjedhojë zhgënjyes, sepse rezultatet dhe pikët që kemi marrë flasin qartë, edhe rastet që kemi humbur”.

OBJEKTIVI I FUNDIT - Tani i vetmi objektiv që na ka mbetur, por që është në rrezik, është kualifikimi në Ligën e Europës. Matematikish mund të sigurojmë një vend në Ligën e Europës, por besoj se do të ishte një gabim sikur të dorëzoheshim tani, - ka thënë Bufon, - mbi të gjitha pasi vijmë nga një ndeshje ku kemi humbur dy pikë shumë të rëndësishme. Dy përmbysjet e rezultatit në dy takimet e fundit në kampionat tregojnë një lloj frike të skuadrës për të menaxhuar rezultatin”.

PERPARA ME DEL NERIN - Numri një i bardhezinjve dhe i kombëtares së Italisë edhe disa javë më parë ka dalë në mbrojtje të punës së Xhixhi del Nerit. Edhe këtë herë e ka përforcuar qëndrimin e tij: “Mbrapa asaj që ka ndodhur, besoj se nuk ka asnjë përgjegjësi të trajnerit. Vazhdoj të jem i mendimit se Del Neri duhet të konfirmohet edhe për sezonin e ardhshëm”.

Por ndërkohë vazhdojnë të qarkullojnë zëra për zëvendësuesit e mundshëm të tarjnerit bardhezi: Vilas Boas, Maxarri, Konte. “Cili nga këta është trajner i denjë për Juven? Unë deri në momentin që do të shkoj të stërvitem dhe do të gjej aty Del Nerin do të jem i lumtur”.

EFEKTI MADRID - Po e ardhmja e Bufonit? Për portierin “është gjithçka shumë e qartë”, domethënë nga ana e tij ekziston dëshira për të qëndruar me bardhezinjtë, i takon klubit të vendosë. Por çfarë Juventusi do të jetë? Edhe në lidhje me këtë Xhixhi duke se i ka idetë e qarta:

“Ajo që mendoj unë nuk ka shumë rëndësi, e rëndësishme është që klubi t’i ketë idetë e qarta në lidhje me investimet që duhen bërë për të përforcuar skuadrën. Pas dy sezonesh kaq negative, duhet të bëjmë zgjedhjet e duhura për t’u rikthyer kompetitivë.

Dhe besoj se ata që marrin vendimet e kanë të qartë këtë. Marota në Spanjë? Më duket se do të marrim Kristiano Ronaldon, - ka bërë shaka Bufon, - por ndoshta kanë folur për Kakanë. Kë do të zgjidhja nga të dy? Nuk e di, le të themi se kush ka dëshirë të vijë dhe të na ndihmojë, është i mirëpritur”.

KIELINI - Xhiorxhio Kielini qëndron te Juventusi pavarësisht nga sezoni i dobët i “Zonjës”. Mbrojtësi bardhezi nuk e fsheh zemërimin e tij për Europën që po u shpëton pabesueshmërisht nga duart skuadrës së tij: “Na mungojnë shumë pikë. Nuk ishim të zotë të fitonim në disa ndeshje ku ishim në epërsi. Në veçanti tek të fundit, ku kryesonim 2-0, janë këto pikë që ndikojnë më shumë në renditjen aktuale.

Tani nuk mund të bëhen bilance, duhet vetëm të presim. Sigurisht jam i zhgënjyer për këtë sezon. Zërat që vijnë nga Spanja? Kur kalon momente të tilla, është normale që qarkullojnë zëra merkatoje. Ka shumë mundësi të shiten lojtarë. Por unë s’u besoj këtyre zërave, por mua janë vetëm thashetheme bari”.
/JUVENEWS.TK/