17 maj 2011

Nedved kritikon lojtarët e Juventusit


Legjenda e Juventusit, Pavel Nedved, ka kritikuar lojtarët për edhe një sezon tjetër zhgënjyes dhe po ashtu është i hapur për angazhimin e Antonio Conte si trajner në vend të Luigi Del Neri.

Gjiganti nga Torino pësoi disfatë 1-0 ndaj Parmës në Serie A gjatë të dielës dhe sipas gjasave do të dështojë të kualifikohet për sezonin e ardhshëm të Europa League.

Nedved, i cili ka luajtur për gjigantin italian nga viti 2001 deri në vitin 2009, dhe tash është drejtor dhe anëtar i bordit, është i shqetësuar me mungesën e përkushtimit nga një pjesë e lojtarëve dhe beson se ata janë më përgjegjës për krizën aktuale të klubit.

“Kush ka faj? Lojtarët, mbi të gjithë tjerët. Të rinjtë ende nuk e kanë kuptuar se çfarë do të thotë të veshësh fanellën e Juventusit. Më të vjetrit e kanë humbur njohurinë dhe kanë qenë të paaftë për të përcjellë shpirtin fitues te pjesa tjetër e grupit. Karakteri mungoi krejtësisht te Juve këtë vit. Ka qenë një sezon zhgënjyes”, ka thënë Nedved.

“Del Neri? Ai është trajneri. Mirë, të presim deri të dielën dhe do të shohim. Ne do të bëjmë një listë dhe do të shohim tregun. Antonio Conte është një trajner i mirë. Ai tashmë ka menduar si trajner kur ka luajtur. Ai ka pasur një mobilizim shtesë, dhe jam i bindur se ai do të ketë një karrierë të shkëlqyeshme në stol”, ka shtuar çeku.

Juventusi aktualisht qëndron në pozitën e shtatë të Serie A, tre pikë prapa Romës, që pushton pozitën e gjashtë.
/JUVENEWS.TK/