23 maj 2011

10 transferimet më të suksesshme në kampionatin italian


Tashmë kampionati italian i ka dhënë pothuajse të gjitha verdiktet e veta, kur kanë mbetur edhe 90 minuta nga përfundimi zyrtar i tij. Për këtë arsye, është e nevojshme që të bëhet një bilanc, për të vlerësuar ata që kanë shkëlqyer këtë sezon. I shkëlqyer ka qenë ky sezon për Milanin, që, pavarësisht zhgënjimit për eleminimin në Ligën e Kampioneve, mundi që të fitojë titullin kampion pas shtatë vitesh mungesë dhe për më tepër, arriti që të ndalojë dominimin disa vjeçar të “kushërinjve” dhe rivalëve të betuar, Inter. Nga kuqezinjtë, që afruan në radhët e tyre lojtarë si Ibrahimoviç, robinjo, Kasano dhe Boateng, në fakt pritej një sezon i tillë. Por, edhe ekipe të tjera, që ndoshta nuk kanë bërë merkaton e Milanit, treguan se janë të denja dhe bënë një kampionat dinjitoz. Mjafton që të mendosh Napolin e Kavanit, Palermon e Iliçiç apo Lacion e Hernandez. Për këtë arsye, Eurosport.it ka bërë një renditje të 10 transferimeve më të suksesshme në Itali. Bëhet fjalë për lojtarët që kanë ndikuar në ekipet e tyre më së shumti.

10. Alesandro Matri ( Nga Kaljari tek Juventusi)

Duhet thënë se Matri ishte një zgjedhje e detyruar për Juventusin. Bardhezinjtë kishin si objektiv parësor Pacinin, por ky i fundit u largua në drejtim të Interit, edhe për faktin se Juventusi nuk ishte në gjëndje që të paguante shumë e lartë që kërkonte Sampdoria për sulmuesin e kombëtares italiane. Juventusi më pas vendosi që të afrojë Tonin në ekip, por, largimi i Amaurit bëri që bardhezinjtë të detyroheshin për të marrë një tjetër sulmues. I vetmi që kishte “mbetur” në qarkullim ishte pikërisht Matri. Sulmuesi bëri paraqitje të shkëlqyera që në fillim dhe arriti që të shënonte një dopietë që në ndeshjen e dytë me Juventusin, pikërisht ndaj ish-ekipit të vet, Kaljarit. Ajo që e bëri të hynte në zemrat e tifozëve, ishte goli i fitores ndaj Interit. Në total, Matri ka shënuar 8 gola deri më tani. Nga ai pritej që të shënonte edhe më shumë, por, duke parë situatën në të cilën ka qenë Juventusi, nuk mund t’i vihet faj, pasi nuk ka pasur shumë mbështetje nga shokët e tjerë të ekipit.

9. Gaston Ramirez ( Nga Penjarol tek Bolonja)

Është një lojtar që premton, madje shumë. I kërkuar me ngulm nga ana e Malezanit, ai arriti që të bëhet protagonist në këtë sezon dhe madje ka arritur që të bindjë edhe teknikun e Uruguajit që ta mbledhë në kombëtare. Dhe të mendosh që është vetëm 20 vjeç. Ramirez ka zhvilluar 25 ndeshje gjatë këtij kampionati dhe ka shënuar 4 gola. E vetmja e metë e tij, duke parë edhe moshën e re, është ndëshkimi me kartona të shumtë dhe kundërshtimi i arbitrave. Kjo ka ndikuar që në ndeshje të caktuara, si ajo ndaj Fiorentinës, ai të përjashtohet.

8. Josip Iliçiç ( Nga Maribor tek Palermo)

Palermo pagoi vetëm 2 milionë euro për ta marrë atë nga Maribori, por vlera e tij tashmë është rritur pothuajse 10-fish. Vëzhguesit e Palermos u dashuruan me të pas ndeshjes së Ligës së Europës verën e kaluar mes Mariborit dhe Palermos dhe vendosën që ta merrnin atë në Itali. Sezoni i tij tek Palermo ka qenë perfekt: shumë lojë, lëvizje, përkushtim dhe gola të rëndësishëm. Tashmë ai është bërë një dëshirë e ndaluar për shumë klube europiane, duke parë çmimin e lartë të kartonit të tij. Vlera e Iliçiç është e njëjtë me atë të shumë yjeve të tjerë të futbollit europian. Vetë lojtari ka deklaruar se nuk dëshiron që të largohet nga Palermo.

7. Pablo Armero (Nga Palmeiras tek Udineze)

Një nga lojtarët më të rëndësishëm të Udinezes, që bëri të mundur një fazë të dytë të shkëlqyer të kampionatit. Bashkë me Islën, ai përbën ndoshta dyshen më të fortë të lojtarëve të krahut në kampionatin italian. Armero është përshtatur mjaft mirë në skemat e lojës së Guidolin, duke u bërë kështu një prej zbulimeve të kampionatit italian. Ka një shpejtësi dhe një fizik për t’u marrë në konsideratë, ndërsa po t’i shtosh edhe dy golat e shënuar dhe katër asiste, atëherë mund të thuhet me plot gojën se Udineze ka bërë një blerje me të vërtetë të rëndësishme.

6. Hernandez ( Nga San Paolo tek Lacio)

Nëse sezoni i Lacios ka qenë kaq i suksesshëm, një pjesë e madhe e meritës i takon pikërisht atij, Hernandez ka mundur që të shënojë 11 gola dhe të japë 5 asiste gjatë këtij sezoni. Është një nga të paktët mesfushorë që ka një fantazi dhe konkretësi të tillë. Sezoni i ardhshëm pritet që të jetë akoma edhe më i mirë për mesfushorin brazilin. Duhet thënë se merita për afrimin e tij tek Lacios i takon pikërisht ish-kapitenit të kombëtares shqiptare, Igli Tare, që aktualisht është drejtor sportiv tek Lacio. Është pikërisht kjo blerje që e ka ngritur shumë punën e Tares dhe e ka konfirmuar atë si drejtor edhe në të ardhmen tek ekipi lacial.

5. Robinjo ( Nga Mançester Siti tek Milan)

Fama e tij e ka përndjekur dhe jo në aspektin pozitiv. Është konsideruar gjithmonë si një lojtar grindavec, kaprioçioz, që më shumë luan për veten e vet, se sa për ekipin. Difekte që ai i ka mbuluar gjithmonë me aftësitë e shkëlqyera teknike, të cilat e lejuan që të veshë fanellën kuqezi të Milanit. Një rastë i mirë për karrierën e tij sportive, të cilin ai nuk e la t’i shpëtonte, duke treguar se është një lojtar që mund të luajë për epikin dhe të sakrifikohet. Ka vrapuar për kilometra të tërë dhe ka mundur që të shënojë 14 gola gjatë këtij sezoni. E meta e tij e vetme? Nuk është shumë i ftohtë para portës: me rastet e shumta që ka pasur, mund të kishte shënuar një numër shumë më të madh golash.

4. Xhiampaolo Pacini ( Nga Sampdoria tek Interi)

Ndoshta vetëm rënia e Sampdorias në Serinë B mund të shpjegojë rëndësinë e këtij lojtari, që është kthyer në fundamental dhe në armën më shumë tek Interi. Ishte 30 janari kur Pacini bëri debutimin e tij me fanellën zikaltër. E dini si përfundoi ndeshje? Palermo udhëhiqte dy me zero në pjesën e parë. Leonardo vendos që pjesën e dytë të hedhë në fushë pikërisht Pacinin, i cili shënon dy gola dhe fiton një penallti, që shndërohet në gol nga ana e kamerunasit Eto. Një fillim kaq të çmendur nuk mund ta kishte imagjinuar as vetë Pacini. Që prej atëherë ka koleksionuar 13 ndeshje dhe ka shënuar gjashtë gola. Jo keq për një lojtar, i cili është marrë për të zëvendësuar një Diego Milito të shuar.

3. Kevin Prince-Boateng ( Nga Portsmuth tek Milani)

Tani është njeriu i momentit, por fillimi nuk ishte aq i lehtë për mesfushorin ganez. Erdhi tek Milani si një lojtar jo shumë i njohur dhe kishte kuriozitet të madh rreth tij. Në villim tërhoqi vëmëndje për karakterin e tij dhe më pas për shpërthimin në fushën e lojës. Aq sa e detyroi Alegrin që të ndryshonte skemat e lojës, në mënyrë që të aktivizionte ganezin, i cili u bë një lojtar kyç për lojën e Milanit. Tifozët kuqezinj ndërkohë nuk kanë sit a harrojnë kërcëimin e tij me rastin e festës për fitimin e titullit kampion.

2. Edison Kavani ( Nga Palermo tek Napoli)

Që sulmuesi uruguajan kishte klas, këtë në Itali e dinin të gjithë. Por, sezoni i tij i parë i jashtëzakonshëm me Napolin nuk bëri gjë tjetër veçse e konfirmoi këtë gjë: në 44 ndeshje arriti që të shënonte 32 gola, 25 në kampionat dhe 7 në Europë. Numra që flasin qartë për rëndësinë e sulmuesit uruguajan, i cili arriti që ta rikthenet Napolin në tre ekipet më të mira të kampionatit italian. Ai është simboli i kësaj ringritjeje dhe njeriu i duhur për atë që të gjithë napolitanët ëndërrojnë që prej kohës së Maradonës: fitimin e titullit kampion. Dhe të mendosh që blerja e tij fillimisht ishte kontestuar fort nga ana e tifozëve të Napolit, pasi presidenti De Laurentis kishte larguar Kualjarelën, aq të dashur nga këta të fundit.

1. Zllatan Ibrahimoviç ( Nga Barcelona tek Milani)

Ibrahimoviç me të drejtë është konsideruar si njeriu i titujve në Itali. Ai është simboli i ringritjes së Milanit. Gjatë këtij kampionati ka arritur që të shënojë 19 gola dhe të japë plot 15 asiste, duke fituar kështu titullin e tetë në Itali. E vetmja gjë negative ishte fundi i sezonit, i cili e pa më shumë jashtë fushe sa sa brenda, për shkak të pezullimeve për marrjen e dy kartonave të kuq radhazi. Ndërkohë, vazhdon që të zhgënjejë në Ligën e Kampioneve, pasi edhe gjatë këtij sezoni nuk arriti që të jetë përcaktues për Milanin. Gjithsesi, me të drejtë ai mund të quhet si transferimi më i suksesshëm, pasi pa të, Milani do ta kishte shumë të vështirë që të ndërpriste hegjemoninë e Interit.
/JUVENEWS.TK/