22 maj 2011
Sfida e Kontes: Gati të fitoj edhe në A!
Ish-kapiteni pret zyrtarizimin te klubi torinez, edhe pse pranon: Jam akoma trajner i Sienës
Fjalën Juventus nuk e përmend kurrë, sepse, siç ka sqaruar edhe vetë ai: “Jam akoma trajner i Sienës, nuk kam nënshkruar akoma një kontratë të re me asnjë klub tjetër”.
Antonio Konte, më pas, ka pranuar: “Më vjen mirë që emri përmendet në krah të një klubi të madh si Juventusi”, por pret zyrtarizimin, që tashmë duhet të vijë brenda orëve në vazhdim.
Por është gati për aventurën e re: “Kam fituar dy kampionate në Serinë B dhe kam fituar shumë eksperiencë. Nëse di të stërvisësh një skuadër mund të fitosh në Serinë A ashtu si Serinë B”, ka thënë ish-kapiteni i “Zonjës së Vjetër”.
Me këto fjalë, Konte, duket sikur ka lëshuar sfidën e tij, që më pas është sfida e gjithë Juventusit. Ngjyrat bardhezi ai i ka brenda vetes, siç ka thënë presidenti i tij aktual Mexaroma, i mban nën këmishë.
Për këtë arsye Konte e mban të kaluarën e tij gjithmonë përpara, sikur të ishte një kartvizitë: “Vitet e shumta të kaluara te Juventusi më kanë dhënë mentalitetin e fituesit. Nëse jam gati për një skuadër të madhe? Mund të them se kam lindur gati”, ka thënë ai.
“Mua më pëlqen të fitoj, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Kam fituar dy kampionate në Serinë B dhe kjo për mua përbën një bagazh të madh eksperience. Më pas me Juven kam fituar shumë si lojtar dhe kjo sigurisht më ka ndihmuar për t’u përballur në mënyrën e duhur me gjërat në karrierën time dhe për të gjetur një rrugë për të dalë nga situatat delikate”.
Në fund, Konte ka bërë një koment edhe për aventurën e tij te Siena, skuadër të cilën ka arritur ta rikthejë në Serinë A pas rënies së vitit të kaluar nga kategoria: “Ka qenë një vit i rëndësishëm për mua. Kam fituar akoma më shumë eksperiencë si trajner. Vinim nga një vit i vështirë, pas rënies nga kategoria, por kemi ditur të reagojmë në mënyrën e duhur, edhe pse nuk ka qenë e lehtë. E gjithë skuadra ka bërë një punë të shkëlqyer. Dua të falënderoj presidentin që më ka dhënë shumë”, ka përfunduar Konte.
419 ndeshjet me fanellën e Juventusit dhe 44 gola për Antonio Konten, që ka luajtur në Torino nga 1991 deri në 2004-ën.
5 kupat me Juventusin: më të rëndësishmet, Championsi në ‘96, UEFA në ‘93 dhe Superkupa, Kupa Interkontinentale në ‘96 dhe 5 tituj.
2 kampionatet e fituara në B, me Barin në 2009-ën dhe ky me Sienën. Një rënie me Arecon në C1 dhe 13 ndeshje me 13 pikë me Atalantën. /JUVENEWS.TK/