19 maj 2011
“Zonja”, nga premtimi në dështimin 5-vjeçar
Sot bardhezinjtë duhet të ishin në majat e futbollit italian dhe europian, pas periudhës së “Calciopoli”-t
“Me Juventusin në Serinë B është mbyllur një cikël dhe për të ndërtuar këtë skuadër nuk është dashur pak kohë. Dëshirojmë të gjithë të njëjtën gjë, por nëse them se do të duhen 4-5 vite, nuk është për mungesë ambiciesh, por është realiteti.”
Këto ishin fjalët e shprehura nga Zhan Klod Blank, ish-administratori i deleguar i Juventusit, në vitin 2006 në vigjilje të kampionatit të parë post-”Calciopoli”, teksa bardhezinjtë ishin të detyruar të ringjiteshin duke u nisur nga Seria B.
5 vite maksimumi për të rindërtuar një Juve të madhe, por historia ka zëvendësuar gjithçka dhe ndoshta për këtë francezi në fund u shkarkua. Diçka evidente ka shkuar keq në rindërtimin e klubit me më shumë tituj në Itali.
RANIERI - Në kohën e kërkuar nga Blank, gjithçka ka shkuar ekzaktësisht në kundërshtim me atë që kishte planifikuar ish-drejtuesi. Juventusi ka qenë menjëherë i madh, sapo u rikthye në Serinë A, nën drejtimin e Ranierit, pas shkarkimit të Deshampit.
Në vitin e parë përfundoi në vendin e 3-të me 72 pikë, pas shpatullave të Interit dhe Romës, me kualifikimin në Champions e ëndërruar, por jo të shpresuar në fillim. Edhe më mirë shkoi vitin e dytë, teksa siguronte vendin e 2-të me 74 pikë dhe gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Pikërisht këtu erdhi “black-out”-i.
Rezultatet e shkëlqyera në fushë, faktikisht, bënë që të humbisnin objektivin fillestar, i cili nuk ishte fitimi i menjëhershëm, por të riktheheshim për të qenë një fuqi e futbollit italian, në mënyrë të qëndrueshme.
Shkarkimi i Ranierit ishte tregues i qartë, sepse kurrë në historinë e tyre, bardhezinjtë nuk kishin ndërruar trajnerin 2 javë para fundit të kampionatit. Nga ai moment e më pas, dikush ka fikur dritën. Investimet e mëdha janë bërë pa programim duke mbledhur disa “figurina” dhe raporti me tifozët është prishur deri në atë pikë sa pati kore kundër në Parmë.
FERRARA - Në 2009-10 skuadra iu besua Ferrarës, bashkë me blerjet e Diegos dhe Felipe Melos, mes të tjerëve. Sezoni ishte i dobët, teksa ish-mbrojtësi u shkarkua në janar dhe u zëvendësua nga Zakeroni, i cili nuk bëri më mirë.
Atëherë revolucion, përderisa projekti i shtatorit të 2006-s u kthye në një kartë të djegur. Ardhja e Del Nerit dhe Marotës dukej sikur i dha një sens gjithçkaje, por këtë gjë nuk e treguan në fushë, pikërisht 2 protagonistët e ardhur nga Sampdoria, me blerjet e shumta, por shumë pak të vlefshme, në një sezon shumë pak luftarak në fushë, pa mbështetjen e tifozëve, të cilët tashmë janë lodhur duke parë një Juventus të reduktuar në një skuadër provinciale dosido.
Por e ardhmja nuk është rozë: Europa do të mbetet një ëndërr edhe për sezonin e ardhshëm dhe apeli i bardhezinjve kundrejt lojtarëve të mëdhenj po venitet pashmangshmërisht. Juve duhej të rikthehej e madhe në 5 vite, por sot 5 vite më pas, rrezikon vetëm të zhduket nga elita e futbollit europian. /JUVENEWS.TK/