22 maj 2011

Alegri “zyrtarizon” Pirlon te Juventusi


Në prag të ndeshjes në Udine, trajneri kuqezi kërkon ta mbyllë mirë sezonin: Asnjë dhuratë në “Friuli”

“Nuk do të shkojmë në Udine për të pushuar. Ata janë shumë të motivuar, por ne jemi Milani dhe nuk mund të bëjmë figurë të shëmtuar”. Masimiliano Alegri flet për ndeshjen që kuqezinjtë do të luajnë sot në mbrëmje në “Friuli” dhe më pas kthehet të flasë për temën më të nxehtë, atë të rinovimeve.

Trajneri i Milanit nuk ka ndërmend t’i bëjë asnjë dhuratë Udinezes, së cilës i mjafton vetëm një pikë për të siguruar kualifikimin në Champions: “Nuk kemi asgjë për të humbur, duhet të luajmë një ndeshje të mirë. Ata do të jenë më të motivuar se ne, por ne jemi Milani dhe nuk mund t’i lejojmë vetes të bëjmë figura të shëmtuara. Barazimi 4-4 i fazës së parë? Udineze është vënë në vështirësi, ne krijuam shumë raste në pjesën e dytë. Kanë lojtarë të rëndësishëm si Di Natale, Sançez, Inler dhe Zapata. Asamoah? Eshtë një lojtar i mirë, preferoj të mos flas për këtë”.

Alegri i është përgjigjur në këtë mënyrë atyre që e kanë pyetur në lidhje me largimin e Andrea Pirlos: “Juventusi ka bërë një blerje të madhe, është një lojtar i mrekullueshëm. Ka qenë një zgjedhje e pranuar nga të gjitha palët dhe për këtë arsye rrugët tona janë ndarë, te Juvja do të bëjë gjëra të mëdha”.

Për sa i takon rinovimit të Sedorfit, situata nuk është akoma e qartë: “Me Klarenc nuk kam folur akoma, do të pres fundin e kampionatit. Duke parë marrëdhënien që kam me të gjithë, do t’i përgjigjem të gjitha pyetjeve që Sedorf do të më bëjë. Kur të flas me të do t’ju them se çfarë më ka thënë”.

Tekniku kuqezi ka folur edhe për lojtarët që kanë luajtur më pak në këtë sezon dhe për përdorimin e rotacionit, që në një sezon të gjatë është i detyrueshëm: “Të gjithë lojtarët që luajtën në këtë vit kanë besimin tim të plotë dhe të klubit. Kur je pjesë e një skuadre ka gjithmonë konkurrencë, dhe kur je te Milani një lojtar duhet ta dijë mirë se mund të luajë vetëm një numër të caktuar ndeshjesh. Asnjë klub në botë nuk mund t’i garantojë një lojtari të luajë 50 ndeshje në sezon. Tiago Silvës dhe Abiatit nuk i kam thënë se do të luajnë 60 ndeshje në sezonin e ardhshëm. Të njëjtin diskutim bëra edhe me Gatuzon në fillim të sezonit kur donte të largohej. Edhe Flamini ishte një lojtar stoli dhe sot është një nga ata që ka luajtur më shumë. Edhe Jepes shkonte në tribunë, tani është pjesë e formacionit titullar”.

Në fund Alegri ka bërë një krahasim midis brazilianit Tiago Silva dhe kapitenit legjendar të Milanit, Franko Barezi: “Franko ka qenë një kampion në gjithçka. Tiago është përmirësuar shumë, ka të gjitha karakteristikat për t’u bërë një lider i kësaj skuadre”.
/JUVENEWS.TK/