22 maj 2011

Fiorentina i lëshon ultimatum Montolivos


Trajneri Mihajlloviç i kërkon mesfushorit të marrë një vendim për të ardhmen. Edhe Frei e Santana drejt largimit

Pakënaqësi në shtëpinë vjollcë. Fiorentina, që vjen nga një kampionat në tranzicion, duhet të përballet me një çmobilizim gati të paralajmëruar. Klubi, në fakt, ka vendosur të mos rinovojë kontratën e Santanës. Mutu do të largohet.

Ndër të tjera, Mihajlloviç e ka sqaruar situatën në lidhje me portierin titullar: “Frei? Për mua është Neto portieri i së ardhmes”. Trajneri i ka dhënë edhe një ultimatum Montolivos: “Ka njëzet ditë kohë për të vendosur se çfarë do të bëjë”.

Një tërmet i vërtetë po bie këto ditë te klubi toskan. Çështja e parë ka të bëjë me Santanën: mesfushori argjentinas ka dhënë sinjale të mira në këtë sezon, por Korvino dhe Dela Vale kanë vendosur të mos ia rinovojnë kontratën.

Tifozëve nuk u ka pëlqyer kjo gjë: “Pas Ujfalusit tani Santana, një tjetër vendim i palogjikshëm”. Kështu është shkruar në një banderolë të ekspozuar nga një grup tifozësh në stadiumin “Franki”. Ujfalusi, edhe ai afër skadencës së kontratës, ka zgjedhur Ateltikon e Madridit për t’u rigjeneruar.

Nuk ka mbaruar me kaq. Mutu, pas shumë nazeve, do të largohet nga Firence në fundin e sezonit. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me Frein e Montolivon. Portieri, për shkak të një dëmtimi serioz, i ka lënë vendin polakut Boruc. Por, pas rikthimit të tij ka luajtur vetëm një ndeshje si titullar dhe ka bërë shumë deklarata që klubit vjollcë nuk i kanë pëlqyer.

Me sa duket as Mihajlloviçit: “Frei? Ka bërë historinë e Fiorentinës, është një portieri i madh, - ka thënë trajneri serb. -Por portieri i së ardhmes është Neto, më pëlqen shumë”.

Një ftesë e qartë për Frein që të kërkojë një skuadër tjetër. Ashtu si për kapitenin Montolivo, që nuk ka pranuar të nënshkruajë kontratën e re (deri në 2016-ën): “Ka ardhur momenti që Montolivo të marrë një vendim. Të thotë po ose jo, - ka shpjeguar Mihajlloviç, - duhet ta dimë për të programuar sezonin me ose pa të, nuk mund të presim vendimin e Rikardos për më shumë se 15-20 ditë. Thotë se ka dyshime në lidhje me programin e klubit, por nuk ka asgjë për të pasur dyshime. Objektivi ynë është të arrijmë midis 5-7 skuadrave më të mira në Itali”.
/JUVENEWS.TK/