23 maj 2011

Seria A, 12 trajnerë me valixhe në duar


Pas javës së fundit të kampionatit, më shumë se gjysma e teknikëve, e mbyllin sezonin me një lamtumirë

Dje ishte dita e fundit e kampionatit. Ditë lamtumirash. Në fund të 90 minutave të luajtura ka qenë 12 numri i trajnerëve të Serisë A që kanë përshëndetur skuadrat e tyre respektive. Do të bëheshin 14 nëse dhe Napoli me Lacion do të vendosnin të ndryshonin dirigjentin për sezonin e ardhshëm.

Në këtë pikë mbeten të paprekshëm vetëm Alegri i Milanit, Leonardo i Interit, Guidolin i Udinezes, Kolomba i Parmës, Donadoni i Kaljarit dhe Mihajlloviç i Fiorentinës. Juventusi pritet të ndërpresë marrëdhëniet me Del Nerin, i cili në konferencën për shtyp të së shtunës i ka përshëndetur të gjithë duke thënë:

“Po largohem pasi kam dhënë maksimumin. Disa projekte kanë nevojë për kohë, por Juvja nuk mund të presë.” Plani duket se ka dështuar edhe për Romën, në të cilën me shumë mundësi Montela nuk do të rikonfirmohet. Në vend të tij, drejpërdrejt nga Kievo pritet të vijë Pioli, i cili thekson:

“Roma më ka kontaktuar, por asgjë nuk kam firmosur”. Edhe tek Xhenova nuk do të rikonfirmohet Balardini. Pavarësisht situatës së vështirë që skuadra ka kaluar rezultatet frytshënëse nuk e kanë bindur presidentin Preciozi për të ardhmen që tashmë e ka vendosur: bëhet fjalë për Alberto Malezanin, i cili të shtunën i ka dhënë lamtumirën Bolonjës.

“Kam ardhur këtu i rrethuar nga mosbesimi dhe bëj mirë të shkoj pa shumë pishmanllëqe. Falëminderit të gjithëve,” është shprehur ai. Edhe pse ka mundur ta mbajë në kategori Çezenën, Fikadenti nuk e ka rinovuar kontratën e tij me klubin, ndërsa De Kanio i ka dhënë duart Leçes në përfundim të ndeshjes me Lacion.

Edhe tek Katania, tekniku Simeone, pavarësisht se ka edhe një vit kontratë, ka vendosur të largohet. Tek Palermo vazhdon të mbetet në dyshim pozicioni i Delio Rosit në pankinë. Teknikut pritet t’i skadojë kontrata dhe marrëdhëniet me Zamparinin janë mëse të trazuara, edhe pse këtij presidenti asnjëherë s’i merren vesh idetë.

Së fundmi janë tri skuadrat e rëna nga kategoria që normalisht do të ndërrojnë trajner. Nga Breshia pritet të largohet Jakini ndërsa Kavazin është larguar në fund të ndeshjes së djeshme që Sampdoria ka zhvilluar kundër Romës.
/JUVENEWS.TK/