21 maj 2011
Bufon mund të qëndrojë, Akuilani pa siguri
Portieri me shumë gjasa nuk largohet, ndërsa për mesfushorin Juvja nuk shpenzon më shumë se 10 milionë euro
Konfirmohet kapiteni: Alesandro del Piero. Konfirmohet trajneri: Antonio Konte. Po kështu edhe regjisori: Andrea Pirlo. Juventusi i ri po merr formë dhe, me shumë mundësi, portieri do të jetë, si gjithmonë, Xhixhi Bufon. Situata është e njëjtë si disa javë më parë.
Ai kërkon të qëndrojë, Juve do të donte ta mbante, por problemi qëndron tek paga: 6,5 milionë euro në sezon. Për momentin nuk janë caktuar takime mes drejtuesve bardhezinj dhe Silvano Martinës, menaxher i lojtarit.
Me siguri, në javët e ardhshme do të diskutohet edhe rinovimi i kontratës deri në vitin 2015 me reduktim të pagës. Ky është çelësi për t’i bërë të lumtur të gjithë, duke përfshirë edhe tifozët, që nuk duan absolutisht të braktisen nga idhulli i tyre. Së bashku me Bufon do të duhet të qëndrojë edhe Marko Storari, i cili në ditët e ardhshme do të rinovojë deri në 2014-n.
Mesfusha - Gjithçka në heshtje, përveç çështjes së Akuilanit. Në këtë pikë, Juve nuk kërkon të nxitohet, nuk do të hyjë në bisedime me Liverpulin përpara javës së ardhshme. Megjithatë, strategjia nuk ndryshon: çmimi maksimal për Akuilanin është fiksuar tek 10 milionshi.
Pasi kanë marrë Pirlon dhe Paciencën, tashmë mesfusha duhet të ndërtohet me qetësi, duke ndjekur natyrisht edhe udhëzimet e Kontes. Nevojitet një mesfushor i madh dhe emrat e përmendur janë Fernando dhe Lasana Diarra.
Më i vështirë është diskutimi për Montolivon, i cili lidhet me Akuilanin, por gjithashtu edhe me projektin taktik të Kontes. Gjithsesi, Sandro Menkuçi, administrator i deleguar i Fiorentinës, është shprehur në këtë mënyrë: “Duhet të presim që Montolivo të na thotë se ç’ka ndërmend të bëjë.
Mua do të më pëlqente që të qëndronte në Firence, duke pranuar kontratën që i ofruam, por nuk jam optimist. Në rast se lojtari do të largohet nga Fiorentina, duhet të marrim kompensimin e duhur ekonomik.”
Riblerjet - Ndërkohë klubi ka vendosur të rimarrë lojtarët që kanë qenë në pritje të njohjes së të ardhmes së tyre. Bëhet fjalë për Marko Motën, Simone Pepen, Fabio Kualjarelën dhe Alesandro Matrin. Mota është i destinuar, me shumë mundësi, të përfshihet në ndonjë tratativë (mund t’i interesojë Lacios për Lihshtajner), ndërsa 3 lojtarët e tjerë do të qëndrojnë në ekip në dispozicion të Kontes.
Për Matrin, bardhezinjtë do t’i paguajnë 15 milionë Çelinos, për Pepen dhe Kualjarelën do të paguhet kësti i 2-të, nga 3 të parashikuarit vitin e kaluar.
360 janë ndeshjet e luajtura gjithsej të Bufonit me fanellën e Juventusit. Në këto ndeshje portieri ka pësuar 320 gola.
33 janë ndeshjet e Akuilanit me fanellën bardhezi (32 në kampionat dhe 1 në Kupën e Italisë). Dy gola të shënuar, njëri ndaj Leçes e tjetri ndaj Barit. /JUVENEWS.TK/