20 maj 2011
Morati: Titulli i 2006-s, i yni, Moxhi: Fitove nga “Calciopoli”
“Përse m’u deshën 10 vjet për të fituar titullin?
Nuk ishte e thjeshtë, jemi dëmtuar gjatë ‘Calciopoli’-t. Kjo ishte arsyeja përse i kapën: ndoshta fenomeni ekzistonte edhe më përpara, por protagonistët kishin fatin që askush nuk i kishte përgjuar”. Kjo është deklarata e presidentit të Interit, Masimo Morati për “Le Iene Show, ku ka prekur sërish temën e verës së vitit 2006, që tronditi futbollin italian.
Ai foli edhe për drejtuesit aktualë të Juvetusit: “Për të qenë i sinqertë, me drejtuesit aktualë bardhezinj gjithçka është në rregull. A jam i kënaqur që i shoh në këto pozita në klasifikim? Më tepër sesa kënaqësi, jam habitur nga fakti që nuk arritën të kualifikoheshin as në Europa League”.
Për homologun Andrea Anjeli dhe pretendimet e tij se Juves duhet t’i rikthehen titujt, Morati shtoi: “Është një person i përgatitur, mjaft serioz dhe i uroj të mbetet i qetë, pasi ky është një virtyt i nevojshëm për të kaluar momentet e vështira. Titulli 2006? Ai është i yni, të zgjedhë një tjetër”. Për Moxhin, njëshi i klubit zikaltër nënvijëzoi se, “ai e ka inatin me veten… nëse nuk do të ishte sjellë kështu, nuk do të ekzistonte kjo situatë e miqve dhe armiqve”.
E menjëhershme replika në distancë e “Big Luçianos”. Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, i cili është i akuzuari kryesor në çështjen “Calciopoli”, u kundërpërgjigj: “Mendoj se Morati nuk është në gjendje të thotë nëse futbolli është përmirësuar apo përkeqësuar. Ai është një njeri që përfitoi nga ‘Calciopoli’ për t’u bërë i madh.
Do të më pëlqente që Morati të heshtte, edhe prej çështjes së pasaportave false, diçka për të cilën Interi duhej të kishte zbritur direkt nga kategoria. Gjyqi sportiv tregoi se Juve nuk kishte bërë shkelje, kjo është e vërteta”. /JUVENEWS.TK/