14 maj 2011

Buffon, i dëshpëruar, por nuk largohet


Gianluigi Buffon insiston se do të mbetet në Juventus, pavarësisht dëshpërimit të këtij sezoni. Bianconerët dështuan të shfaqen kandidat për Scudetto dhe rrezikojnë të përfundojnë sezonin pa u kualifikuar në gara evropiane të klubeve.

“Fatkeqësisht ky sezon ka qenë i pakënaqshëm, si ai i kaluari, për shkak të pikëve që kemi humbur dhe rasteve të pashfrytëzuara. Megjithatë, ende shpresojmë të arrijmë në Europa League, por është primare të luajmë për vetërespekt”, tha Buffon për Tuttosport.

Vështirësitë e Juventusit shtuan spekulimet se Buffon mund të shitet gjatë verës, ndërsa thuhej se kërkohet nga Chelsea dhe Arsenali.

“Synimi im, si dhe ai i klubit, është të vazhdojmë të jemi së bashku. Ancelotti dhe Arsenali më kërkojnë? Ancelotti lansoi karrierën time dhe i jam mirënjohës. Ne kemi marrëdhënie të mira, por për arsye që nuk lidhen me futboll. Ndërsa Arsenali është një temë e mirë për ju gazetarët, por mua nuk më intereson”, u shpreh ai.

Buffon u pyet edhe për takimin e drejtuesve të Juventusit me ata të Real Madridit, të enjten.

“Ndoshta ata kanë shkuar atje për të transferuar Cristiano Ronaldon. Duke lënë shakanë anash, kushdo që mund të vijë, do të mirëpritet nga i gjithë ekipi. Klubi ka strategji për hapat që duhet marrë në ndërtimin e një skuadre të mirë”, përfundoi Buffon.
/JUVENEWS.TK/