19 maj 2011
Moxhi: "Pirlo është blerja e gabuar"
Nuk është vonuar shumë reagimi i Luçiano Moxhit, ish-drejtorit të përgjithshëm të Juventusit, ndaj fjalëve që ka shprehur presidenti i Interit, Masimo Morati. Padroni zikaltër, gjatë një interviste të dhënë një ditë më parë, kishte hedhur hije të mëdha dyshimi për Calciopolin:
"Ndonjë ndërhyrje mbase ka pasur edhe më parë, por kanë pasur fatin e madh që asnjë nuk i përgjonte në atë periudhë". Moxhi, menjëherë ja ka kthyer akuzat personit që i ka shprehur: "Morati ka përfituar nga Calciopoli për t'u bërë i madh, është shprehur Moxhi, duke folur për Radio "Sportiva". Interi nuk ishte një skuadër që përgjohej, sepse Telekomi ishte i tyre.
Do të doja që Masimo Morati të qendronte në heshtje për këtë temë". Përsa i përket merkatos, një zonë ku kompetencat e ish-drejtuesit bardhezi janë të mëdha, Luçiano Moxhi i ka dhënë një këshillë Juventusit: "Pirlo do të ishte një blerje e gabuar, fizikisht nuk është mirë. Tashmë, ndodhet në moshën 32- vjeçare, nëse ndërton një grup të ri me lojtarë 32-vjeçarë, atëherë gabon në nisje. Nuk dua të them, që Pirlo nuk ka cilësi si lojtar, them që ky Pirlo nuk është ai i të shkuarës". /JUVENEWS.TK/