Valon Behrami nuk do të largohet nga West Ham United gjatë afatit kalimtar të janarit, përkundër faktit se mediat e huaja kohëve të fundit flisnin për një transferim të mundshëm të futbollistit kosovar tek Juventus, gjatë dimrit.
Këtë e ka bërë të ditur drejtori sportiv i klubit londinez, Gianluca Nani.
“Unë mund ta specifikoj se ne nuk e kemi ndërmend dhe nuk kemi nevojë ta shesim ndonjërin prej lojtarëve tanë më të mirë”, ka thënë Nani në një intervistë për radion italiane, Radio Tau.
“Kjo vlen edhe për Behramin, i cili nuk do të shkojë në Juventus. Ai është futbollist i madh dhe do të qëndrojë tek ne”, shtoi drejtori sportiv i West Ham.
25 vjeçari Behrami kishte nënshkruar me Hammers në verën e vitit të kaluar, pasi ishte transferuar nga Lazio. Për shkak të problemeve financiare, klubi londinez në 18 muajt e fundit kishte shitur futbollistë si Anton Ferdinand, George McCartney, Matthew Etherington, Bobby Zamora e Craig Bellamy, por Nani ka siguruar se Behrami nuk do të lëvizë në janar nga Upton Park.