25 nëntor 2009

Toni-Van Gaal, prishen përfundimisht

Luca Toni e ka sulmuar sërish trajnerin e tij, Louis Van Gaal. Sulmuesi italian ka pohuar se marrëdhëniet e tij me trajnerin holandez janë të ftohta.
“Raporti ynë ka përfunduar. Kanë kaluar katër muaj, prej kur kam probleme me trajnerin, gjithçka ka limit”, tha ish futbollisti i Fiorentinës për televizionin italian, RAI. Toni do të qëndronte tek Bayern vetëm në rast të shkarkimit të Van Gaal, të cilit nuk po i ecën mirë eksperienca në Gjermani. Në të kundërtën, sulmuesi italian planifikon rikthimin në atdhe.
“Bayernit i uroj çdo të mirë. Do më pëlqente të rikthehem në Itali për t’i shënuar golat që do më shpinin në Kombëtare. Mbetem sulmuesi që tek Azzurrët ka shënuar gola më shumë se të gjithë, në listën e sulmuesve aktualë”, theksoi ai.
Në fund, Toni ka theksuar se ka raporte të mira me Francesco Tottin dhe se do t’i pëlqente të luajë së bashku me të... tek Roma.