Mesfushori nuk e sheh me sy të mirë faktin që Spanja konsiderohet si ekipi për t’u mundur në botëror
Mesfushori i Spanjës, Ksavi, ka pohuar se atij nuk i pëlqen emërtimi i Spanjës si skuadër favorite për botërorin e vitit që vjen, duke thënë se ka shumë skuadra të tjera që kanë bilance më të mira se ata në këtë kompeticion. Edhe pse asnjëherë përfaqësuesja e Spanjës nuk ka shkuar në ndeshjen finale të botërorit, pasi rezultati më i mirë i arritur ka qenë vendi i katërt në botërorin 1950, nga kampionët e Evropës pritet shumë pasi kanë pasur një formë shumë të mirë dy vitet e fundit. Që prej fillimit të vitit 2007, Spanja ka arritur 40 fitore‑ përfshirë dy në kohë shtesë‑ dhe është mundur vetëm një herë në 43 ndeshje.
Në këtë periudhë ata janë shpallur kampionë Evrope. Kjo periudhë ka qenë shumë e suksesshme për vendin iberik, pasi e vetmja humbje e tyre ka qenë ajo kundër SHBA‑ve me rezultatin 2‑0 në Kupën e Konfederatave, këtë verë. Për shumë analistë, Spanja është skuadra që duhet mundur në finalet e botërorit. Megjithëse Ksavi ka pohuar se skuadra e tij ka shanse për të arritur suksesin e parë botëror, ai nuk ka dëshirë që Spanja të titullohet si favorite në nivel të njëjtë me skuadra të tjera me më shumë përvojë. “Kupa e Botës po vjen në një moment të mirë për gjeneratën tonë. Por ne duhet të jemi të thjeshtë dhe të punojmë sa më shumë.
Njerëzit duhet të sjellin ndër mend Kupën e Konfederatave, kur SHBA‑të na mundën. Nuk më pëlqen të na quajnë përherë favoritë. Ne jemi kampionë të Evropës dhe luajmë futboll të bukur, por nuk kemi diçka më shumë se Argjentina, Gjermania, Italia ose Brazili. “Ne duhet të jemi në mesin e katër më të mirëve në botë. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk mendojmë të shkojmë sa më larg dhe të shpallemi kampionë.” I pyetur se kush janë favoritët për Kupën e Botës, Ksavi ka thënë: “Unë shoh një botëror me shumë surpriza dhe bashkë me skuadrat e mësipërme, mendoj se Bregu i Fildishtë do të jetë ‘kali i zi’.” Ksavi i ka dhënë këto komente para ndeshjes miqësore kundër Austrisë në Vjenë, vendi ku Spanja u shpall kampione e Evropës në vitin 2008.
Nëse fiton në Austri, kjo do të jetë fitorja e 21‑të e Spanjës në 22 ndeshjet që kur skuadrën e drejton trajneri Visente del Boske, pas largimit të Aragonesit pas fitimit të evropianit. Homologu i Del Boskes, Didi Konstantini, ka thënë se është duke u përgatitur për këtë ndeshje që do të luhet në “Ernst‑Happel Stadion” pa e pasur mendjen te zhurma që ka shkaktuar përjashtimi i lojtarëve Martin Stranzl dhe Andreas Ivanshitc nga planet e tij.
Veterani Stranzl dhe golashënuesi i dytë më i mirë i Bundesligës gjermane, Ivanshitc, nuk kanë vend në përfaqësuesen e drejtuar nga Konstantini, i cili preferon të aktivizojë lojtarë të rinj për këtë ndeshje. Përjashtimi i tyre bëri që mbrojtësi Giorgi Gariks të kritikojë trajnerin, duke thënë se të paktën Ivanshitc duhet të jetë titullar. “Unë mendoj se ai duhet të jetë pjesë e skuadrës me talentin që ka.
Nuk mund t’i shënosh aq shumë gola në Gjermani aq lehtë”, ka thënë mbrojtësi 25‑vjeçar, që mendon se edhe Stranzl “duhet grumbulluar”. Konstantini ka preferuar të përqendrohet te ndeshja e sotme kundër Spanjës duke pohuar se është para një sfide të fortë. “Spanja është skuadër e nivelit të lartë, ndër skuadrat më të mira së bashku me Brazilin dhe Argjentinën. Do të shohim nëse do të mund t’i përballojmë dot dhe a do të bëjmë lojën që duam të bëjmë”, ka thënë trajneri i Austrisë.