19 nëntor 2009

Dëmtohet Ibra, Barça në alarm

Sulmuesi suedez i kampionëve të Europës po vuan një problem muskulor, i cili e detyroi të mos grumbullohet me kombëtaren për miqësoren kundër Italisë.Por kjo nuk është e gjitha, pasi Ibrahimoviç rrezikon edhe ndeshjen e madhe midis Barcelonës dhe Interit të martën në “Kamp Nou”. Një telash më shumë për trajnerin Pep Guardiola, që mund të privohet nga shërbimet e sulmuesit edhe për supersfidën e 29 nëntorit përballë Realit në Primera Divizion.
Gjatë seancës së fundit stërvitore, Zllatan ka ndier dhimbje në kofshën e djathtë dhe menjëherë e ka ndërprerë stërvitjen, për t’iu nënshtruar analizave, që do të përcaktojnë me saktësi shkallën e dëmtimit dhe kohën e nevojshme për t’u riaftësuar.
E sigurtë është që suedezi nuk do të jetë në dispozicion të Guardiolës për ndeshjen e ditës së shtunë kundër Atletiko Bilbaos dhe gjithashtu mund të mos jetë në gjendje të luajë ndaj Interit në Ligën e Kampionëve dhe Realit në kampionat.