29 janar 2009

Spaleti kërkon më shumë nga skuadra

Luçiano Spaleti është shumë i kënaqur pas suksesit të arritur nga skuadra e tij mbrëmjen e djeshme kundër Palermos: “Nuk kishim vazhdimësi në lojë, por nuk ka problem”. Trajneri i verdhekuqve është vetëm një pikë larg vendit të katërt, e megjithatë predikon durim: “Nuk mendoj se skuadrat që janë përpara nesh ndihen nën presion. Unë jam i kënaqur me faktin që ekipi im ka bërë një paraqitje të mirë kundër një kundërshtari që nuk duhet nënvlerësuar, i cili është shumë i vështirë për t’u përballuar. Është akoma çdo gjë e hapur përsa i përket zonës së Ligës së Kampionëve. Përpara kemi një Xhenoa që luan shumë mirë dhe nuk duhet ta anashkalojmë aspak këtë fakt”. Më pas, Spaleti ka bërë një përmbledhja të sfidës: “Nuk kemi arritur ta imponojmë lojën tonë përgjatë 90 minutave, por kemi pasur shumë raste. Sigurisht, unë prisja një ndeshje të vështirë, sepse e kisha parë sesi luante Palermo dhe ata ma konfirmuan fare mirë këtë gjë sot, me lojën e tyre”. Ndërkohë, Mateo Brigi ka filluar të mendojë për zonën e Ligës së Kampionëve, edhe pse nuk e pranon hapur këtë gjë: “Objektivi minimal është vendi i katërt, por ka ende shumë kohë deri në përfundim të kampionatit. Le të vazhdojmë të marrim pikë dhe të shohim se çdo të ndodhë në fund. Sot (dje) nuk ishim shumë brilantë si gjithmonë – është shprehur mesfushori, – por edhe këto ndeshje janë shumë të nevojshme”.