30 janar 2009

Pirllo - “Spice Boy” është një blerje shumë e goditur”

“Dy pikët e humbura nga sfida me Xhenoan, në ‘San Siro’, na kanë zhgënjyer tej mase, sepse janë në të njëjtën kohë dy pikë të humbura ndaj Interit”. Janë këto fjalët e para të shprehura nga Andrea Pirlo, një ditë pas barazimit me skuadrën e Gasperinit, që në këtë mënyrë e ka thelluar edhe njëherë në tetë pikë diferencën e Milanit nga kreu. “Për fat të keq shënuam vetëm një gol, dhe pse rastet për ta mbyllur atë ndeshje nuk na munguan. Le të shpresojmë që ai gabim të na shërbejë për të ardhmen”. Në një farë mënyre, zhgënjimi i pësuar nga barazimi me Xhenoan sikur u sfumua disi, falë një tjetër paraqitjeje të shkëlqyer të Devid Bekhamit, kurorëzuar me një gol fantastik nga një goditje dënimi. Ja si e komenton Pirlo ardhjen e anglezit te kuqezinjtë e Milanit: “Është padyshim një blerje shumë e goditur, kështu që le të shpresojmë që të qëndrojë me ne sa më gjatë”.