30 janar 2009

Chelsea dhe City kontaktojnë me Tevezin

Dy skuadrat nga Liga Premier, Chelsea dhe Manchester City, i janë bashkuar betejës për të fituar shërbimet e sulmuesit të Manchester Unitedit, Carlos Tevez.
“Times” njofton se United janë në bisedime me argjentinasin për të nënshkruar një kontratë, e cila do ta lidhte atë me Old Trafford, duke marrë parasysh faktin se marrëveshja në bazë të cilës Tevez është i huazuar te kampionët përfundon në qershor. Mirëpo bisedimet kanë ngecur për shkak të vlerës së madhe të parave që kërkojnë pronarët e tij, dhe po ashtu paga e lojtarit konsiderohet e lartë nga drejtuesit e United. Në ndërkohë disa klube të tjera janë shprehur të interesuara për të fituar shërbimet e Carlitos, përfshirë këtu edhe Real Madridin. Së fundmi vijnë zëra që konkurrentët për titull, Chelsea, dhe skuadra pasanike e Manchester Cityt kanë kontaktuar me lojtarit për të biseduar në lidhje me zhvillimet për transferimin e tij.