31 janar 2009

Igli Tare del në mbrojtje të trajnerit Delio Rosi

Kriza e rezultateve në të cilën është përfshirë Lacio, ka vënë në dyshim të plotë qëndrimin e trajnerit Delio Rosi në krye të pankinës bardhekaltër. Por drejtori teknik i Lacios, Igli Tare, ka rikonfirmuar besimin e madh që ka klubi te tekniku aktual. “Delio Rosi gëzon besimin e plotë nga ana e klubit. Ne nuk kemi ndërmend të angazhojmë trajner tjetër, si rrjedhojë shpresoj të marrin fund një herë e mirë spekulimet mediatike mbi largimin e Delio Rosit nga Lacio”, ka deklaruat drejtori Igli Tare, i cili është fokusuar më pas tek takimi i së dielës, në “Stadio Olimpiko” të Romës, ndaj Milanit. “Nuk do jetë një ndeshje e lehtë. Por tani e kemi të nevojshme të marrim një rezultat pozitiv. Gjatë këtyre dy ditëve kemi reflektuar gjatë për ato dy humbje, ndaj Kaljarit dhe Sampdorias, e si rrjedhojë shpresoj që dielën të hakmerremi ndaj kuqezinjve”, ka përfunduar Tare.