30 janar 2009

Edhe K.Ronaldo vuante nga zemra

Fantazistit të Mançester Junajtid, Kristiano Ronaldos, iu desh një operacion në zemër për të shpëtuar karrierën e tij të shkëlqyer. Nëse portugezi nuk do t’i nënshtrohej operacionit kardiak kur ishte në moshën 15-vjeçare, ai nuk do të ishte në lartësinë e futbollit që ndodhet sot. Sipas të përditshmes “The Sun”, mjekët diagnostikuan një “zemër të nxituar” në mes të pjekurisë së lojtarit, çka dha frikën se ai, (sot Futbollisti më i Mirë i Vitit), do të shkëputej nga futbolli. Në momentinkur ky problem u shfaq, Ronaldo aktivizohej me skuadrën portugeze të Sportingut të Lisbonës. Pas konstatimit të shqetësimitnëpërmjet ekzaminimeve mjekësore, u vendos që ai t’i nënshtrohet operimit për largimin e rrahjeve të çrregullta të zemrës. Ky nuk është një rast i pazakontë në botën e futbollit. Ish-mesfushori i Mançester Sitit, Mark-Vivien Fo, vdiq gjatë aktivizimit për kombëtaren e tij, Kamerunin në vitin 2003, ndërsa francezi kampion bote, Lilian Turam, u detyrua të tërhiqet nga futbolli vitin e shkuar për shkak të problemeve në zemër. Sulmuesi i Portsmuthit, Kanu, është gjithashtu, një prej emrave që kanë vuajtur shqetësime të “pompës” së organizmit. Megjithatë, për fat të mirë kirurgjia me lazer e ushtruar ndaj Ronaldos, e kuroi plotësisht atë dhe e lejoi të kthehet nr. 1 i futbollit. Nëna e Ronaldos, Dolores Aveiro, u shpreh në lidhje me këtë: “Zemra e tij rrihte me ritme të shpejta, edhe kur ai nuk vraponte. Njerëzit përgjegjës për këtë te klubi i Sportingut, na njoftuan menjëherë dhe shkuam për të firmosur disa autorizime, për të lejuar trajtimin mjekësor në spital. Mjekët përdorën një lloj lazeri për të djegur burimin e këtij problemi. Ronaldo u operua në mëngjes dhe doli nga salla në mbrëmje. Përpara se të merrnim vesh të vërtetën nga e cila vuante djali ynë, u shqetësuam shumë, sepse ekzistonte mundësia që ai të mos luante më futboll. Por trajtimi mjekësor shkoi mirë dhe pas disa ditësh ai u rikthye në stërvitje”.