30 janar 2009

Bekam shihet gjithnjë e më larg Milanit

Çështja lidhur me të ardhmen e David Bekamit tek Milani është duke vluar ditët e fundit. Futbollistit i mbaron afati i qëndrimit tek kjo skuadër në datë 9 mars, dhe më pas, sipas të gjitha marrëveshjeve, do të rikthet tek Los Anxhelos Galaksi në kampionatin amerikan të futbollit. Dy ndeshjet e fundit kanë qenë të shkëlqyera për Bekamin në radhët e Milanit. Ai ka arritur të shënojë golin e parë me këtë skuadër në përballjen me Bolonjën, dhe këtë mesjavë shënoi përsëri, këtë herë përballë Xhenoas. Së fundmi, për të ardhmen e yllit anglez ka folur edhe trajneri i skuadrës së Los Anxhelosit, Brus Arena, i cili deklaron: “Nuk ka asnjë lajm të ri për të thënë, David do të rikthehet në Amerikë më 9 mars”.Kjo është një frazë e përsëritur shumë herë, dhe që i bën milanistët të mendojnë që tani për largimin e Bekamit në muajin mars nga skuadra e tyre.