29 janar 2009

Barca vazhdon tutje

Skuadra e Barcelonës e ka mposhtur rivalin qytetit, Espanyol, në kuadër të Kupës së Mbretit me rezultat 3-2 për të vazhduar më tutje garën drejt fitimit të këtij trofeu.
Takimi i parë i zhvilluar në Estadi Nou Sarria përfundoi me rezultat të barabartë pa gola, ndërsa në Camp Nou Barcelonës nuk i konvenonte barazimi. Blaugranët arritën që të krijonin epërsi të trefishtë, para se kundërshtari i tyre të ngushtonte rezultatin. Sulmuesi i ri Bojan Krkic ishte golashënues i dyfishtë. Krkic krijoi epërsinë në pjesën e parë (35’), ndërsa tre minuta brenda pjesës së dytë (48’) e dyfishoi atë. Golin e tretë për katalunasit e shënoi Gerard Pique (56’). Mysafirët arritën që brenda dhjetë minutash të shënojnë dy herë me anë të Ferran Corominas (59’) dhe Callejon (69’), mirëpo nuk arritën ta shënonin edhe golin e tretë, i cili i mbante në garë.