29 janar 2009

Interi fillon shkëputjen në krye

Ndonëse në tri javët e mëparshme të ka mpionatit, kundërshtarët direkt të Interit kishin rikuperuar mjaft pikë kundrejt tyre, në mbrëmjen e djeshme, djemtë e Zhoze Murinjos (i cili e ka ndjekur skuadrën e tij nga tribuna e ‘Masiminos’ si rrjedhojë e pezullimit) janë shkëputur sërish nga ndjekëset. Kampionët në fuqi të Serisë A kanë përfituar nga disfata në transfertë e Juventusit me Udinezen dhe e kuqezinjve në shtëpi kundër Xhenoas. Padyshim që me fitoren në Sicili kundër Katanias, zikaltrit kanë hedhur një hap të madh drejt titullit kampion. Edhe pse në inferioritet numerik për më shumë se një orë, Ibrahimoviç me shokë kanë arritur t’i bëjnë ballë formacionit të Valter Zengës, i cili duhet theksuar se ka zhvilluar një ndeshje madhështore, por në fund kanë fituar më të fortët. Dejan Stankoviç kalon shumë shpejt në avantazh milanezët, më pas ka ardhur përjashtimi me karton të kuq i Sule Muntarit, ndërkohë që Zlatan Ibrahimoviç ka mbyllur përfundimisht takimin në pjesën e dytë. Tani Interi zgjeron diferencën në gjashtë pikë nga Juventusi dhe në tetë pikë nga Milani. Përsa i përket Juventusit, djemtë e Klaudio Ranierit zhvillojnë mbase ndeshjen e tyre më të dobët të sezonit kundër Udinezes, e cila godet “Zonjën e Vjetër” me dyshen Kualiarela-Di Natale. Goli i vetëm bardhezi vjen në përfundim të ndeshjes nga Vinçenco Iakuinta, pasi dërgon saktësisht në rrjetë njëmbëdhjetëmetërshin e caktuar nga gjyqtari Taljavento. Në këtë mënyrë, Juventusi ndërpret vazhdën e saj prej shtatë fitoresh radhazi. Gjithsesi, nëse bardhezinjtë u ndalën, Milani nuk diti të përfitonte kundrejt torinezëve, pasi barazoi në shtëpi kundër Xhenoas. Goli i mrekullueshëm i Devid Bekhamit zhvlerësohet në përfundim të takimit nga realizimi i të përhershmit për xhenovezët, Diego Milito. Për t’u përmendur është goditja e dy traversave nga ana e të zotëve të shtëpisë. Në Firence zhvillohej një tjetër takim i rëndësishëm për zonën e Ligës së Kampioneve, ndërmjet Fiorentinës dhe Napolit. Vjollcët e Çezare Prandelit fitojnë minimalisht 2-1 kundër bregdetarëve dhe në këtë mënyrë rigjejnë suksesin pas tri humbjeve radhazi. Nga ana tjetër, Edi Reja dhe skuadra e tij shënojnë disfatën e dytë radhazi, duke humbur kështu terren nga Xhenoa, e cila vazhdon të mbajë me meritë vendin e katërt. Gjithsesi, skuadra e Gasperinit tashmë më shumë se nga Napoli dhe Fiorentina, duhet të ruhet nga Roma e Luçiano Spaletit, e cila mund 2-1 Palermon falë golave të kapitenit Françesko Toti dhe Mateo Brigit. Verdhekuqtë, të cilët vetëm pak javë më parë e shihnin shumë larg edhe vendin e katërt të renditjes, tashmë pozicionohen të pestët me vetëm një pikë larg nga pozicioni i fundit që dhuron Ligën e Kampioneve. Vazhdon momenti negativ për skuadrën e Lacios, e cila pas turpërimit në “Olimpiko” kundër Kaljarit, duhet t’i përulet edhe Sampdorias në shifrat 3-1 të drejtuar nga një Kasano në një formë të ashtëzakonshme. Sinisa Mihajloviç vazhdon aventurën e tij fantastike në stolin e Bolonjës, duke marrë mbrëmë tri pikë të arta në transfertën e Bergamos kundër Atalantës me një gol të Volpit. Edhe Kaljari vazhdon të konfirmohet e pafalshme në shtëpi, pasi mund 1-0 me gol të të përhershmit Akuafreska, Sienën e Xhampaolos. Kievo dhe Leçe i mbyllin 90 minutat në barazim 1-1, ndërkohë që pa asnjë emocion ka qenë barazimi tjetër mes Torinos dhe Rexhinës, 0-0.