31 janar 2009

‘Respekt për Benitezin, fitojmë ne’

Trajneri brazilian, Luiz Felipe Skolari, deklaroi ditën e djeshme se gëzon një respekt të madh për trajnerin të Liverpulit, Rafael Benitez, ndonëse në ndeshjen e radhës në “Anfield” do të synojë të mposhtë “ushtrinë e kuqe”. Kjo deklaratë e ish-trajnerit të Porugalisë ka ardhur pikërisht dy ditë përpara përballjes me Liverpulin, me të cilin ndajnë edhe vendin e dytë të renditjes me pikë të barabarta. Pikërisht, kjo ndeshje shihet si vendimtarja përsa i përket përcaktimit të ndjekësit të Mançester Junajtid, në luftën për titull. Në ndryshim me mënyrën tradicionale që jemi mësuar të shohim deklaratat e trajnerëve rivalë në Premier Ligë, në prag të përballjes me Liverpulin, Skolari në një mënyrë krejt të çuditshme, ka treguar simpati për Rafael Benitezin dhe ka hedhur akuza për trajtimin e “Djajve të kuq” nga Federata dhe gjyqtarët e Premier Ligës. Sipas brazilianit, kritikat e ngritura nga Benitez ndaj drejtuesve të Mançesterit mund të jenë me vend, edhe pse pranon se Premier Liga është ende një kampionat pak i njohur prej tij. “Është mendimi i Benitezit ky. Nuk kam folur me të për këtë çështje. Mbase do të flas në fundjavë. E kuptoj. E kupoj shumë mirë, por ndonjëherë kur luan në “Old Trafford” dhe në “Stamford Bridge” e di se çfarë mund të ndodhë. Nëse punon në të njëjtin vend për shumë vjet, di sesi të reagosh në çaste kritike. Ajo që më çudit është edhe paraqitja e Liverpulit së fundmi. Nuk e di se çfarë po ndodh aty. Nuk e di se çfarë po ndodh me Benitezin. Di se kur kemi humbur, apo kemi barazuar në shtëpi, na është dashur ndryshimi i diçkaje në lojën tonë, ndërsa te Liverpuli nuk e di se çfarë ndodh në të vërtetë”, u shpreh trajneri Skolari. Bisedën e tij ai e vijoi duke thurur elozhe për spanjollin. “Benitez është trajner fantastik dhe ka një raport të shkëlqyer me lojtarët. Na duhet më tepër “përshtatje” sesa në ndeshjet e tjera të realizuar në këtë muaj. Mendoj për punën time, jo të tij. Kam humbur 14 pikë në “Stamford Brixh” dhe nuk mund të lejoj uljen e privilegjit tim si trajner për faj të kësaj. Benitezin e pëlqej shumë në punën që bën dhe i uroj gjithë të mirat, sigurisht jo për ndeshjen me ne...”.