30 janar 2009

Orë vendimtare për kalimin e Iakuintas te Zenit

Sot në mëngjes pritet që në Torino të zbarkojnë drejtuesit e skuadrës së Zenitit të Shën Pjetërburgut, të cilët kanë kohë që e bisedojmë me homologët e tyre juventine mundësinë e transferimit në kampionatin rus të Vinçenco Iakuintës. Një operacioni tillë është i lidhur ngushtë edhe me transferimin tashmë të sigurt të Andrej Arshavin në radhët e Arsenalit, pasi në këtë mënyrë, Zeniti do të mbetej pa një goleador. Për momentin, vetëm dy duken të jenë pengesat për mbylljen me sukses të një marrëveshjeje të tillë, 1)Iakuinta ende nuk ka mësuar se cilat janë shifrat reale të përfitimit të tij (ndonëse përflitet për dyfishin e asaj që aktualisht përfiton te Juventusi) dhe 2) Bardhezinjtë duhet të gjejnë brenda pak ditësh një tjetër sulmues për të zëvendësuar Iakuintan. Klubi rus është i gatshëm të paguajë 13 milionë euro, 2 milionë euro më shumë se shifra që Juventusi shpenzoi në verën e vitit 2007. Ndërkohë, edhe drejtuesit bardhezinj kanë filluar kontaktet me Kualiarelën që në rast të largimit të Iakuintas në Rusi, sulmuesi friulan do të mbërrinte menjëherë në Torino për të firmosur me “Zonjën e Vjetër” dhe për të regjistruar emrin në listën që Juventusi duhet t’i paraqesë UEFA-s për Ligën e Kampioneve. Dy alternativat e tjera janë rikthimi i Paladinos nga Xhenoa ose Karlton Kol, sulmuesi anglez i Uest Hemit, të cilin Ranieri e ka stërvitur kur drejtonte Çelsin.